Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar një prej sasive më të mëdha të drogës në historinë e vendit, prej 10 tonë kokaine.
Ngarkesa gjigante u gjet brenda dy magazinave në zonën industriale “El Labradorcico”, në qytezën bregdetare Águilas. Sipas të dhënave të para nga Garda Civile, dyshohet se kjo qendër e madhe logjistike menaxhohej nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare.
Mediat spanjolle raportojnë se sasinë e madhe të drogës nuk e zbuloi policia, por një gabim njerëzor. Një punëtor po manovronte një pirun ngritës gjatë lëvizjes së paletave, përmbysi aksidentalisht njërën prej tyre.
Prej saj dolën pakot me kokainë ndërsa punëtori i panikosur dhe u arratis, duke e lënë drogën në tokë. Kaq mjaftoi që Garda Civile të ndërhynte rrufeshëm. Kur agjentët mësynë në magazinën e parë gjetën mbi 5 ton kokainë të paketuar gati për shpërndarje. Autoritetet morën lejen gjyqësore për të kontrolluar edhe një kapanon të dytë ngjitur, i cili po ashtu funksiononte pa asnjë tabelë apo emër kompanie.
Brenda tij u gjet një tjetër sasi masive droge, duke e çuar bilancin total të sekuestrimit në afro 10 ton kokainë. Vlera totale e ngarkesës së sekuestruar llogaritet nga 130 deri në 145 milionë euro.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se magazinat në Águilas shërbenin si një pikë qendrore logjistike. Droga vinte nga Amerika Latine, depozitohej në Aguilas dhe prej andej paketohej dhe shpërndahej me kamionë drejt vendeve të ndryshme të Evropës Qendrore dhe Veriore.
Hetuesit spanjollë janë të bindur se pas kësaj logjistike komplekse qëndron një rrjet i fuqishëm i mafias shqiptare. Zona industriale ku u sekuestrua sasia rekord e drogës mbetet e rrethuar nga forca të shumta policore, ndërsa agjentët po gjurmojnë kamerat e sigurisë dhe dokumentacionet e bizneseve fantazmë për të rënë në gjurmët e kokave të këtij rrjeti trafiku.
