Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka uruar Ileana Iotovën për zgjedhjen në postin e Presidentes së Republikës së Bullgarisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilëson Bullgarinë një vend mik të Shqipërisë, me të cilin vendi ynë ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta historike, miqësore dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm.
Ai vlerëson veçanërisht mbështetjen e Bullgarisë për integrimin evropian të Shqipërisë, si dhe rolin e komunitetit bullgar në vendin tonë, të cilin e konsideron një urë miqësie mes dy popujve.
Në mesazhin e tij, Balla i uron suksese Iotovës në përgjegjësinë e re, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë do të thellohen edhe më tej, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes së përbashkët evropiane.
