Nga Altin Ketro
Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit ka marrë një vëmendje tepër të lartë mediatike e publike. Kjo, jo për shkak se ai u transferua disa kilometra më larg Tiranës, por për faktin se arsyet konkrete të këtij transferimi mbetën të paqarta, duke i lënë vend shumë teorive konspirative.
Fillimisht duhet theksuar se burgu i Fierit nuk është as ish-burgu i tmerrshëm i Spaçit e as ish-kampi famëkeq i Tepelenës. Është një burg, ndërtimi i të cilit ka kushtuar 14,3 milionë euro, ndërsa mobilimi 1,7 milionë euro. Ai ka nisur funksionimin e plotë në shkurt të vitit 2015. Pra, bëhet fjalë për një nga burgjet tona më moderne, ku kanë vuajtur dënimin edhe figura politike si Saimir Tahiri, Ervin Salianji, Vangjush Dako, Alqi Bllako, Lefter Koka e Fredi Beleri.
Pra, fillimisht duhet hequr paranoja se Veliaj ka shkuar në burgun e “tmerrshëm”. Por, përtej kësaj, duke qenë se ai është kryebashkiak në detyrë dhe i duhet të nënshkruajë dhjetëra shkresa, do të duhej të kishte transparencë për mënyrën se si do të përmbushen detyrimet e tij institucionale. Veliaj nuk është një i dënuar me formë të prerë që mund ta çojnë në çdo lloj burgu, sipas gjykimit të institucionit përgjegjës. Ai është një i paraburgosur dhe duke pasur parasysh edhe detyrën që mban, do të ishte e arsyeshme që të shqyrtohej mundësia e qëndrimit sa më afër qytetit ku është zgjedhur.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tashmë ka reaguar zyrtarisht. Sipas saj, transferimi është bërë për arsye sigurie dhe për garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale. Drejtoria thotë gjithashtu se urdhri i transferimit është klasifikuar si sekret shtetëror, ndaj arsyet konkrete të vendimit nuk bëhen publike. Gjithsesi ky shpjegim mbetet i përgjithshëm. Nuk dimë se cilat ishin rrethanat konkrete që e bënë të nevojshëm transferimin e kryebashkiakut të Tiranës pikërisht në Fier.
Për ironi të fatit, ky transferim, i cili mund të jetë plotësisht në përputhje me bazën ligjore dhe pa asnjë ngarkesë negative ndaj tij, vjen pak ditë pas një deklarimi publik të Veliajt, i cili përshëndeti fitoren e studentëve serbë ndaj Vuçiqit. Kaq, asgjë tjetër.
Në këtë kuadër, nuk mund të rri pa e thënë që, edhe pse jam votues i Veliajt dhe nuk do të bëhesha pishman për votat që i kam dhënë edhe sikur ai të dënohej me burg, postimi i tij ishte zhgënjyes. Veliaj, si kryebashkiak i Tiranës, assesi nuk mund ta mbyllte atë postim pa bërë apel kundër dhunës ndaj institucioneve publike e private, si dhe ndaj punonjësve të shtetit. Aq më tepër kur po fliste për studentët serbë, të cilët u përballën me Vuçiqin, me ligjet dhe me gjithë makinerinë e tij shtetërore, pa e kthyer protestën në një fushatë dhune ndaj institucioneve. Njësoj si ajo e opozitës hungareze që sfidoi Orbanin brenda sistemit politik dhe me rregullat e lojës që kishte përballë. Të përballesh me pushtetin edhe kur rregullat nuk janë në favorin tënd, është një gjë, ndërsa të kërkosh gjithmonë një sebep për të mos hyrë në garë, është gjë tjetër.
Dhe këtu vijmë te opozita shqiptare, që nuk lë të huaj të niveleve mediokre pa iu ankuar se nuk hyjnë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Nëse pretendon se je alternativë qeverisëse, duhet të tregosh se di të përballesh, përndryshe bojkotin e ke gjithmonë gati dhe arsyen për të mos hyrë në zgjedhje e gjen po aq lehtë.
Dhe për parantezë të fundit, në vitin 2013, kur Sali Berisha po bënte manovra me numrin e anëtarëve të KQZ-së, Edi Rama ia tha troç: “Do të hyjmë në zgjedhje pa pasur asnjë komisioner tonin në KQZ”. Hyri dhe fitoi.
Për t’u rikthyer te Veliaj, ajo heshtje e tij ndaj shkatërrimeve në Tiranë, ku u rrezikua të digjej edhe vetë godina e bashkisë, kërkon reagim. Do ta dëshiroja shumë një sqarim të tij publik, kurdo që të jetë, por kjo heshtje vret.
Pavarësisht këtyre, gjykoj se çështja e vendqëndrimit të Veliajt duhet parë me gjakftohtësi, duke pasur parasysh edhe detyrën që mban, si dhe nevojën për të qenë sa më pranë institucionit që drejton. Nuk po them se transferimi në Fier është i paligjshëm dhe as se Tirana duhej të ishte zgjedhur patjetër që në fillim. Por, nëse rrethanat konkrete e lejojnë dhe nuk ka pengesa që lidhen me sigurinë, qëndrimi sa më afër qytetit ku ushtron detyrën do të ishte një zgjidhje që ia vlen të rishqyrtohet me përparësi.
