Kimberly Powell, 48 vjeçe, zëvendëspresidente e sektorit të shëndetësisë në kompaninë Nvidia, është përfshirë në një skandal që mund të ndikojë në të ardhmen e themeluesit dhe drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Jensen Huang.
Sipas gazetës “The New York Times”, Powell dyshohet se ka pasur një lidhje jashtëmartesore me Huang.
Ky është rasti i dytë që përfshin jetën private të themeluesit të Nvidia-s, i cili është i martuar me Lori Mills. Lajmi vjen në një moment kur Huang po përballet edhe me hetime lidhur me marrëdhëniet e tij me sipërmarrësen kineze Alice Huang, e dyshuar nga inteligjenca amerikane për lidhje me Pekinin.
Kimberly Powell ka studiuar inxhinieri elektrike në Universitetin Northeastern në Boston. Karrierën e nisi në kompaninë Planar Systems, ku u angazhua në fushën e qarqeve elektronike dhe pajisjeve për diagnostikimin përmes imazherisë. Në Nvidia u bashkua në vitin 2008, kur kompania njihej kryesisht për kartat grafike të përdorura në videolojëra. Detyra e saj ishte të bindte prodhuesit e pajisjeve mjekësore që të përdornin procesorët e kompanisë për përpunimin e imazheve diagnostikuese.
Me kalimin e viteve, Powell ndihmoi në zgjerimin e aktivitetit të Nvidia-s në sektorin e shëndetësisë dhe inteligjencës artificiale. Në vitin 2016 u emërua drejtoreshë e lartë për zhvillimin e biznesit në fushën e inteligjencës artificiale, ndërsa në fund të vitit 2017 mori postin e zëvendëspresidentes së sektorit të shëndetësisë.
Aktualisht, ajo drejton projekte që përfshijnë kërkimin për zhvillimin e ilaçeve, gjenomikën, diagnostikimin dhe robotikën mjekësore. Powell përfaqëson kompaninë në konferenca ndërkombëtare dhe është e angazhuar në zhvillimin e marrëdhënieve me kompanitë e mëdha farmaceutike.
Dyshimet për lidhjen mes saj dhe Huang thuhet se u përhapën brenda kompanisë pas një episodi në mars të këtij viti, gjatë konferencës vjetore të Nvidia-s, GTC, në San Jose të Kalifornisë. Sipas raportimeve, të dy janë parë duke shkëmbyer gjeste afërsie në një hotel ku qëndronin drejtuesit e kompanisë.
Një person që ka qenë dëshmitar i ngjarjes thuhet se i ka filmuar me telefon. Pasi sigurimi i Huang ka vënë re regjistrimin, personi është veçuar dhe i është kërkuar të nënshkruajë një marrëveshje konfidencialiteti. Megjithatë, pamjet nuk janë bërë publike dhe nuk janë parë as nga gazetarët amerikanë që kanë raportuar për këtë çështje.
As Huang dhe as Powell nuk e kanë konfirmuar lidhjen e pretenduar. I pyetur nga gazetarët për këtë çështje, themeluesi i Nvidia-s është përgjigjur: “Nuk mendoj se duhet të flisni drejtpërdrejt me mua”, përpara se të mbyllte telefonin. Powell nuk iu përgjigj kërkesës për koment, ndërsa kompania nuk pranoi të bëjë deklarata.
Çështja ka ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si funksionojnë marrëdhëniet brenda kompanisë. Powell i raporton drejtpërdrejt drejtorit ekzekutiv, ndërsa rregullat e brendshme të Nvidia-s u kërkojnë punonjësve të shmangin situatat ku marrëdhëniet personale mund të krijojnë konflikt interesi. Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna se në karrierën e saj janë konstatuar shkelje apo favorizime.
Skandali vjen në një nga periudhat më të vështira për Jensen Huang, i cili drejton Nvidia-n prej 33 vitesh. Sipas raportimeve, bordi drejtues i kompanisë është mbledhur mbrëmjen e së mërkurës, më 11 nëntor, për të shqyrtuar edhe mundësinë e largimit të tij nga posti i drejtorit ekzekutiv. Kjo përbën një ndryshim të fortë qëndrimi, pasi vetëm tri ditë më parë bordi i kishte shprehur publikisht mbështetjen.
Statuti i kompanisë lejon shkarkimin e drejtorit ekzekutiv edhe pa pasur një shkak të ligjshëm, nëse vendimi miratohet nga shumica e 11 anëtarëve të bordit. Huang zotëron rreth 3.6% të aksioneve të Nvidia-s, por nuk ka të drejta të veçanta votimi që do t’i mundësonin të bllokonte një vendim të tillë.
Kriza nisi pas raportimeve për sipërmarrësen kineze Alice Huang, e cila dyshohet nga autoritetet amerikane se ka kryer veprimtari inteligjence për llogari të Pekinit. Më 8 nëntor, Jensen Huang pranoi në një mesazh drejtuar punonjësve se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes, duke marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.
Në të njëjtën kohë, Nvidia njoftoi nisjen e një hetimi të pavarur për çështjen, duke theksuar se deri tani nuk kishte prova që të dhënat konfidenciale të kompanisë apo interesat e sigurisë kombëtare të ishin komprometuar.
Pasojat e krizës kanë nisur të ndihen edhe në tregjet financiare. Pas lajmeve për mundësinë e largimit të Huang, aksionet e Nvidia-s ranë me 8.62% në tregtimet e mbrëmjes së 11 nëntorit. Nëse kjo rënie konfirmohet me rihapjen e bursës së Wall Street, humbja e vlerës së tregut të kompanisë që nga nisja e hetimit do të arrinte rreth 600 miliardë dollarë.
Një tjetër çështje që po shqyrtohet është edhe pasuesi i mundshëm i Huang. Ai themeloi Nvidia-n në vitin 1993 dhe e shndërroi atë në furnizuesin kryesor në botë të procesorëve për inteligjencën artificiale. Gjatë drejtimit të tij, kompania është ndërtuar rreth një numri të madh drejtuesish që raportojnë drejtpërdrejt tek ai, ndërsa nuk ka një pasues të përcaktuar.
Sipas agjencisë “Bloomberg”, bordi i kompanisë i është drejtuar një firme të jashtme për të identifikuar kandidatë të mundshëm për këtë post. Mes emrave të përmendur është edhe Colette Kress, drejtoresha financiare e Nvidia-s prej më shumë se dhjetë vitesh, e cila shihet si një mundësi për të marrë përkohësisht drejtimin e kompanisë.
Vëmendja tashmë është përqendruar te 17 nëntori, kur Nvidia pritet të publikojë rezultatet e saj financiare për tremujorin.
