Në kuadër të kontrolleve doganore të bazuara në analizën e riskut, Dega Doganore Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, konstatoi një ngarkesë prej 156 mijë njësish produktesh ushqimore e lodra të ambalazhuara, me parregullsi në përmbushjen e kërkesave të detyrueshme të etiketimit.
Gjatë kontrollit fizik u evidentua mungesa e informacionit mbi datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit në etiketimin e produkteve përfundimtare, sipas kërkesave të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 434, datë 11.07.2018, “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”.
Për rastin është kërkuar nga Dogana e Tiranës dhe strukturat përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme angazhimin maksimal për kryerjen e verifikimeve dhe trajtimin ligjor të mëtejshëm.
Për parregullsitë e konstatuara, autoritetet doganore vendosën bllokimin e ngarkesës dhe mosçlirimin e mallrave, deri në përfundimin e procedurave dhe verifikimeve ligjore.
Administrata Doganore Shqiptare vijon kontrollet për garantimin e respektimit të kërkesave ligjore për mallrat e importuara, parandalimin e vendosjes në treg të produkteve të papërputhshme dhe mbrojtjen e sigurisë e të interesave të konsumatorëve.
