Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha mori pjesë në takimin Ministror të Nismës së Evropës Qendrore (CEI) që u zhvillua në Bukuresht të Rumanisë. Sipas ministrit të Jashtëm bashkëpunimi rajonal është më i rëndësishëm se kurrë, në një kohë kur peizazhi i sigurisë dhe ai gjeopolitik i Evropës po riformësohen thellësisht.
“CEI mbetet një platformë e çmuar për forcimin e dialogut, ndërlidhjes dhe bashkëpunimit në rajonin tonë, duke çuar njëkohësisht përpara aspiratat evropiane të vendeve anëtare”, tha Hoxha.
Ministri theksoi se “bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah.”
“Rajoni ynë nuk mund të bëhet plotësisht evropian nëse mbetemi të distancuar nga njëri-tjetri, dhe Evropa nuk mund të jetë plotësisht e bashkuar dhe e fortë për sa kohë rajoni ynë mbetet jashtë saj.
Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah. Kur heqim barrierat tregtare, ndërlidhim sistemet tona energjetike dhe korridoret e transportit, njohim kualifikimet profesionale, forcojmë ndërlidhjen digjitale dhe bashkëpunojmë më ngushtë për sigurinë, nuk po ndërtojmë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Po përgatisim rajonin tonë të funksionojë si pjesë e tij”, deklaroi Hoxha.
Ministri Hoxha vuri në dukje se ekonomitë më të ndërlidhura ndërtojnë një rajon më të fortë.
“Shoqëri më të afërta krijojnë më shumë besim. Më shumë besim forcon sigurinë. Dhe lidhjet më të forta mes njerëzve e shndërrojnë afërsinë në partneritet. Në fund të fundit, një Ballkan Perëndimor më i ndërlidhur, më bashkëpunues dhe më i qëndrueshëm do të thotë një Evropë më e fortë. Kjo është Evropa që na duhet: më e ndërlidhur, më e sigurt, më e qëndrueshme dhe, në fund, e bashkuar në tërësinë e saj”, përfundoi Ministri.
