Prej 25 ditësh, çdo mbrëmje, qytetarët dalin në shesh. Nisi si një revoltë kundër një projekti të diskutueshëm në Zvërnec, por shumë shpejt u shndërrua në diçka më të madhe: në një përplasje të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe një sistemi politik që prej vitesh ka humbur besimin e publikut.
Për 25 ditë me radhë, pavarësisht sulmeve, etiketimeve, presioneve dhe përpjekjeve për ta relativizuar protestën, qytetarët kanë vazhduar të dalin në shesh. Kanë marshuar në rrugët e Tiranës, kanë ngritur zërin kundër korrupsionit, kundër arrogancës së pushtetit dhe kundër një klase politike që, sipas tyre, nuk i përfaqëson më.
Edi Rama deklaron se nuk ka ndërmend të dorëhiqet. Por faktet tregojnë diçka tjetër. Një protestë që zgjat 25 ditë rresht nuk injorohet. Një protestë që dominon rrjetet sociale nuk injorohet. Një protestë që ka detyruar kryeministrin të mbledhë deputetët, ministrat dhe drejtuesit politikë për t’i urdhëruar të hidhen në “luftën e algoritmit”, nuk është një protestë që e lë pushtetin të qetë.
Pikërisht për këtë arsye është vënë në lëvizje e gjithë makineria politike dhe propagandistike. Sulmet ndaj figurave të protestës, përpjekjet për të zhvendosur debatin nga kërkesat te individët, etiketimet si “agjentë”, “të manipuluar” apo “të nxitur nga të tjerët”, tregojnë se pushteti ka zgjedhur të merret me lajmësit sepse nuk arrin t’u përgjigjet lajmeve.
Nga ana tjetër, edhe opozita ka kuptuar potencialin e kësaj lëvizjeje. Sali Berisha ka orientuar strukturat e tij të jenë më pranë protestës dhe së fundmi është shprehur në mbështetje të kërkesave të protestuesve.
Por deri më tani qytetarët kanë treguar se nuk duan të bëhen pronë e askujt. Ata nuk kanë dalë në shesh për t’i dhënë pushtetin një partie tjetër. Ata kanë dalë me kërkesa të qarta: largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit.
Ky është ndoshta elementi më interesant i kësaj revolte. Për herë të parë pas shumë vitesh, qytetarët po refuzojnë të futen në kutitë klasike të politikës shqiptare. Ata nuk po brohorasin për liderë partie. Nuk po kërkojnë rotacion mes të njëjtëve emra. Po kërkojnë ndryshim të rregullave të lojës.
Edhe sot, kur Tirana u përfshi nga reshje të dendura, bubullima dhe vetëtima, protesta nuk u ndal. Fjalimet u ndërprenë për pak kohë, por qytetarët qëndruan në shesh. Më pas marshimi vijoi sërish në rrugët e kryeqytetit. Ky është një detaj që mund të duket i vogël, por në fakt tregon shumë. Një protestë që nuk e ndal as shiu, vështirë se mund të ndalet nga statuset në Facebook apo nga sulmet politike.
Shqipëria ka parë protesta të mëdha në historinë e saj, por rrallëherë një lëvizje që ka lindur jashtë partive dhe që ka arritur të mbajë të njëjtin ritëm për kaq shumë ditë me radhë. Kjo është arsyeja pse pushteti duket i shqetësuar dhe opozita e interesuar.
Pas 13 vitesh qeverisje, pas dhjetëra aferave, skandaleve, akuzave për korrupsion, lidhjeve me oligarkinë, kapjes së institucioneve dhe largimit masiv të shqiptarëve nga vendi, pakënaqësia e akumuluar për vite me radhë duket se ka gjetur më në fund një formë shprehjeje.
Askush nuk e di se si do të përfundojë kjo përplasje. Askush nuk mund të garantojë se kërkesat e protestuesve do të realizohen. Por një gjë është e sigurt: për herë të parë pas shumë kohësh, qytetarët kanë dalë nga roli i spektatorit dhe kanë hyrë në fushë. Dhe kjo, pavarësisht rezultatit, është tashmë një fitore për demokracinë. Sepse shpresa e një vendi lind pikërisht atëherë kur qytetarët refuzojnë të dorëzohen.

