Një anije cisternë që transportonte deri në 7 mijë tonë naftë është mbytur në brigjet e ishullit Ibiza, në Spanjë, duke shkaktuar vdekjen e një prej anëtarëve të ekuipazhit.
Anija “Med Emre”, me flamur maltez, kishte në bord 17 persona, të cilët u shpëtuan nga ekipet e emergjencës. Megjithatë, shtatë prej tyre u transportuan në spital, ku njëri ndërroi jetë më vonë, ndërsa gjashtë të tjerët po marrin trajtim për dëmtime të lehta, kryesisht hipotermi.
Sipas autoriteteve spanjolle, anija cisternë u mbyt rreth 25 milje detare larg brigjeve të Ibizës dhe 57 milje detare nga Valencia. Shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta. Anija ishte nisur nga Algeciras, në jug të Spanjës, drejt Barcelonës, kur ekipet e shpëtimit në Valencia morën një sinjal emergjence rreth orës 22:30 të së mërkurës. Vetëm pak minuta më vonë, ekuipazhi raportoi një rrjedhje në anije dhe bëri me dije se ajo ishte anuar në një kënd prej 90 gradësh, përpara se të fundosej.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur vlerësimin e dëmeve të mundshme mjedisore, për shkak të sasisë së madhe të karburantit që transportonte cisterna. Një avion dhe anija spanjolle për kontrollin e ndotjes detare, “Clara Campoamor”, janë angazhuar për të monitoruar zonën dhe për të përcaktuar nëse ka pasur derdhje nafte në det.
Presidentja e Ishujve Balearic Marga Prohens, ka deklaruar se deri më tani informacionet për një ndotje të mundshme janë të kufizuara. Shqetësimi është i madh për shkak të rëndësisë ekologjike të zonës, pasi mjedisi detar i Ibizës është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1999 dhe përmban livadhe të dendura të bimës detare Posidonia oceanica, e cila luan një rol thelbësor në ruajtjen e biodiversitetit në Mesdhe.
Autoritetet po ndjekin nga afër situatën, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse fundosja e cisternës do të shkaktojë një katastrofë mjedisore të ngjashme me atë të vitit 2002, kur anija “Prestige” shkaktoi një nga ndotjet më të rënda detare në historinë e Spanjës, duke derdhur mbi 60 mijë tonë naftë në brigjet e Galicisë.










