Bujqësia shqiptare do të ketë në dispozicion rreth 18 miliardë lekë në vitin 2027, me një rritje prej rreth 2.5 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin e vitit 2026. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në një intervistë për Klan News, bëri të ditur se fondet do të orientohen kryesisht drejt rritjes së mbështetjes financiare për fermerët përmes skemave kombëtare të subvencionimit, përfundimit të investimeve në infrastrukturën bujqësore dhe forcimit të sigurisë ushqimore, si një prej kushteve të rëndësishme në procesin e integrimit evropian.
“Atëherë, viti 2027 kemi rreth 18 miliardë lekë për bujqësinë dhe rreth 2500 më shumë se viti 2026, nga buxheti i vitit 2026. Këto fonde do të shkojnë më shumë për mbështetje përmes subvencioneve të bujqësisë, ku vazhdon në çdo vit në rritje të përmirësimit të uljes së kostove të fermerëve shqiptarë, por edhe vijimin dhe përfundimin e investimeve në infrastrukturë, që është shumë e domosdoshme për fermerin. Dhe forcimin e sigurisë ushqimore, një hap tjetër që na duhet që të shkojmë drejt Bashkimit Evropian me një siguri ushqimore dhe për konsumatorin shqiptar. Ky buxhet i shërben dy objektivave kryesorë: realizimin e angazhimeve të programit të qeverisë 2025-2029 për bujqësinë dhe afrimin me Bashkimin Evropian, në mënyrë që si do të prodhojmë mbështetjen e fermerit dhe të kontrollojmë ushqimin çdo ditë.”
Ministri u ndal edhe te instrumentet e reja të mbështetjes së fermerëve, duke theksuar se në vitin 2027 do të dyfishohet buxheti për kompensimin e kostove të prodhimit përmes dokumentacionit të vetëm, ndërsa do të vijojë edhe skema e kompensimit prej 10% për faturat e fermerëve.
“Subvencionimi është përmes skemave kombëtare që normalisht ne bëjmë thirrje për fermerët për masat që ata përfitojnë çdo vit, në mënyrë që të ulim koston dhe t’i ndihmojmë fermerët në prodhimin e tyre, por edhe për t’i orientuar drejt tregjeve evropiane, që është shumë e rëndësishme sipas thirrjeve tona 11-a, 12-a dhe 13-a për të përafruar çdo legjislacion sipas Bashkimit Evropian. Dhe kjo na bën që përveç skemës kombëtare, ne të kemi edhe disa instrumente të tjerë që mbështesin fermerin shqiptar, siç është edhe kompensimi 10% për çdo faturë që ata marrin në kompensim të autofaturave, që të depozitojnë çdo 6 muaj tek tatimet, në mënyrë që ne të kalojmë pagesat e para. Ka qenë një nga mundësitë më të mira, pasi unë dua ta theksoj këtë që nuk është e përfshirë në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, pasi mbulohet nga Ministria e Financave, por është një instrument i cili mbulohet pikërisht për bujqësinë shqiptare dhe për fermerin, në mënyrë që ne të ulim koston. Dua të theksoj që e kemi dyfishuar në vitin 2027 buxhetin, në mënyrë që fermerët të përfitojnë drejtpërdrejt me një dokument të vetëm për të ulur kostot e prodhimit të tyre.”
Një tjetër çështje e diskutuar ishte krijimi i shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat synojnë të kapërcejnë problemin e fragmentarizimit të tokës, të nxisin bashkimin e fermerëve dhe t’u mundësojnë atyre përfitime më të larta nga skemat mbështetëse.
Sipas Sallës, përmes këtyre strukturave fermerët mund të përfitojnë deri në 100% mbështetje për makineritë dhe pajisjet bujqësore, si dhe të krijojnë marka të përbashkëta për produkte si vaji i ullirit, mjalti dhe produkte të tjera vendase. Këto masa, sipas ministrit, synojnë uljen e kostove, rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas dhe përafrimin e bujqësisë shqiptare me standardet dhe tregjet e Bashkimit Evropian.
“Dua ta theksoj që ne kemi disa probleme në territor për shkak të fragmentarizimit të tokës dhe kjo bën që fermerët të dalin me një kosto pak më të lartë. Dhe normalisht nëse ne nuk bëhemi bashkë për t’u afruar me dokumente, në mënyrë që të përfitojmë sipas instrumenteve që kemi vendosur për fermerin shqiptar. Çfarë janë ato instrumente?
Nëse në skemën kombëtare kemi për një fermer përfitim 50 apo deri në 70% të skemës kombëtare për mbështetjen ndaj tyre, me shoqëritë e bashkuara bujqësore arrijmë që ne të kemi vendosur 100% përfitim për çdo fermer, për mjetet agregate, për mbështetjen e pajisjeve që i duhet për punim për punimin e tokës, por edhe për uljen e kostove sepse do të duhet që të marrin mbetje dhe atyre që t’i depozitojnë diku, por edhe përpunimi që ata bëjnë gjithmonë marrin me një sasi më të madhe dhe kjo arrin që të ulet një sasi e kostos.
Dhe ne kemi vendosur përsëri instrumente të tjerë për shoqëritë e bashkuara bujqësore, pasi janë mekanizmi më i mirë që ne të dalim me një markë të tyre, siç është vaj ulliri, mjalti apo produkte të tjera, kur janë bashkë dhe secili nga ata është me sipërfaqen e tyre, pra nuk ka një problem nga ana e ligjit për problemet e bashkimit të sipërfaqes së tyre. Por bashkohen me dokumente ligjore, por edhe ndërmjet bashkive që është një mekanizëm mbështetës ndaj këtij sektori bujqësor për të bërë fermerët më së bashku dhe për të qenë garant për përfitimin qoftë e garancisë sovrane me 20%, por edhe ndaj instrumenteve të tjerë të përfitimit në forma të ndryshme qoftë ato të buxheteve të shtetit shqiptar, por edhe ndaj atyre të Bashkimit Evropian.”