Të paktën 30 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet në një treg në pjesën perëndimore të Jemenit.
Përgjegjësia për sulmin është kthyer në objekt akuzash të ndërsjella mes rebelëve Huthi dhe autoriteteve të lidhura me qeverinë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Huthitët, Anis Al-Asbahi, deklaroi për agjencinë e lajmeve Saba se sulmet ajrore ishin kryer nga Arabia Saudite dhe kishin goditur një treg në guvernatoratin Taiz.
Sipas tij, bilanci paraprak është 30 viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nën rrënoja për të gjetur persona të tjerë.
Nga ana tjetër, autoritetet lokale të lidhura me qeverinë jemenase kanë hedhur poshtë pretendimet e rebelëve, duke ia atribuar përgjegjësinë për sulmin luftëtarëve të armatosur pro-iranianë.
Deri tani, rrethanat e sulmit dhe përgjegjësia për viktimat nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
