Kryeministri Edi Rama u ndal te rëndësia e gjuhës shqipe, sakrificat e bëra ndër breza për ruajtjen e saj dhe përgjegjësia për ta trashëguar atë te brezat e ardhshëm.
Në një takim në “Shtëpinë e Europës” me të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, Rama shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në mbijetesën dhe zhvillimin e gjuhës shqipe.
Rama e cilësoi gjuhën shqipe si pasurinë më të madhe të përbashkët të shqiptarëve, duke theksuar se ajo duhet të kultivohet, pasurohet dhe të përcillet brez pas brezi.
“Për gjuhën që ne flasim dhe shkruajmë janë bërë sakrifica të jashtëzakonshme dhe janë përfshirë një numër i pafund njerëzish, për të cilët mbijetesa e gjuhës shqipe dhe trashëgimia e saj brez pas brezi ka qenë mision jete.
Shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që e mbartën shqipen deri në ditët tona, që nga Parashqevi Qiriazi dhe patriotët e tjerë në Kongresin e Manastirit, deri tek ata që u bënë fuqia dhe ndërtuan dokumentin historik për shqiptarët e këtij shteti, Marrëveshjen e Ohrit, dhe për të gjithë të tjerët, deri tek mësuesi i gjuhës shqipe diku në cepin më të largët të diasporës.
Nuk duhet të harrojmë se çfarë është shqipja, kopshti më i madh që ne shqiptarët kemi së bashku, një kopsht xhevahiresh që duhet punuar, kultivuar dhe pastruar për t’u pasuruar dhe trashëguar në një kohë kur gjuha shqipe është nga një tjetër lloj kërcënimi, nën kërcënimin e kohës së teknologjisë”, tha Rama.
Rama ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e teknologjisë në përdorimin e gjuhës, veçanërisht për shkurtimet që përdorin të rinjtë gjatë komunikimit, të cilat, sipas tij, rrezikojnë të varfërojnë fjalorin dhe të tkurrin gjuhën e shkruar. Rama theksoi se ruajtja dhe kultivimi i shqipes kërkon përpjekje të përbashkët nga të gjithë.
“Nën kërcënimin e kohës kur të rinjtë shkruajnë me shkurtime dhe harrojnë se fjalët në atë mënyrë fillojnë edhe dobësohen dhe treten, gjuha e shkruar fillon edhe tkurret dhe zhduken shenjat e pikësimit, për të cilat është bërë përpjekje e madhe, dhe pak nga pak fjalori kthehet në një territor të kufizuar, ku me 200-300 fjalë ndërtohet komunikimi mes njerëzve.
Shqiptarët duhet të kuptojnë se pa gjuhën ne thjesht nuk jemi. Tjetër është marrëdhënia me shqipen në Tiranë, tjetër në Tetovë, tjetër në Prishtinë, tjetër në Zyrih, por shqipja është një.
Duke ardhur tek shqipja e njësuar, është dashur një histori e gjatë përpjekjesh dhe për ta mbrojtur dhe kultivuar atë duhet përpjekje e gjithanshme e të gjithëve, pa përjashtim”, tha Rama.
