Kryeministri hungarez, Péter Magyar, shpalli këtë javë fazën e parë të ofensivës së tij kundër sistemit të pushtetit të ndërtuar gjatë 16 vjetëve nga Viktor Orbán. Ky proces, i cili pritet të zgjasë me muaj, është quajtur Operacioni “Zjarri Pastrues”.
Në fazën e parë, qeveria e udhëhequr nga partia e Magyarit, “Respekt dhe Liri”, e njohur gjerësisht përmes akronimit hungarez Tisza, do të ndërmarrë një reformë të thellë kushtetuese. Ajo synon të mundësojë shkarkimin e presidentit Tamás Sulyok dhe zyrtarëve të tjerë të lartë që i kanë mbetur besnikë Orbánit, si dhe krijimin e një agjencie të posaçme për rikuperimin e pasurive shtetërore.
Pas verës, pritet të nisë një proces i gjerë kushtetues, i cili do të kulmojë me hartimin e një kushtetute të re dhe reformimin rrënjësor të sistemit zgjedhor.
Magyar e nisi javën me një fjalim programatik prej një ore në Parlamentin e Hungarisë, ku deklaroi prerazi se misioni i tij jetik është “ta çlirojë vendin nga mafia ekonomike dhe politike”.
Kryeministri konservator e krahasoi rrjetin e ndikimit të instaluar nga paraardhësi i tij me krimin e organizuar italian të viteve 1990, duke përmendur hapur vrasjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve që guxonin të hetonin mafian në atë kohë. Hungaria, nënvizoi ai, ka nevojë për të njëjtën dorë të hekurt që përdori qeveria italiane në atë periudhë të errët.
Detyra më urgjente dhe pragmatike e kabinetit të ri është zhbllokimi i fondeve të Bashkimit Evropian, të ngrira nga Brukseli si ndëshkim për regresin demokratik të Orbánit, përpara se disa afate kritike të skadojnë në muajin gusht.
I armatosur me supermazhorancën parlamentare dhe legjitimitetin e plotë që fitoi në zgjedhjet e prillit, Magyar ka vënë në lëvizje të gjithë makinerinë legjislative. Në qendër të kësaj lëvizjeje është një paketë e ashpër antikorrupsion dhe Amendamenti i 17-të i Ligjit Themeltar, një kushtetutë e shkruar fillimisht nga vetë Orbán dhe e ndryshuar prej tij 16 herë për t’iu përshtatur interesave të veta.
Ky amendament është hedhur për konsultim publik deri të shtunën, përpara se të kalojë për votim përfundimtar. Sipas partisë Tisza, qëllimi emergjent është rivendosja e “atyre rregullave që janë thelbësore për funksionimin e një demokracie të bazuar mbi shtetin e së drejtës”, duke përgatitur terrenin për reformën kushtetuese të shtatorit.
Megjithatë, nxitimi procedural dhe ritmet e larta të zbatimit kanë ngritur pikëpyetje dhe kritika brenda disa segmenteve të shoqërisë civile hungareze.
Një nga objektivat kryesorë të qeverisë është largimi i presidentit Sulyok, i cili ka refuzuar çdo presion të Magyarit për të dhënë dorëheqjen. Lideri i ri e konsideron kreun e shtetit si një “kukull” në shërbim të klanit Orbán dhe ka premtuar se vendi do të ketë një president të ri përpara datës 20 gusht.
Sidoqoftë, shkarkimi i një kryetari shteti është një akt politik me ndikim të jashtëzakonshëm dhe pa precedent në historinë moderne të vendit. Rasti i Hungarisë mund të shndërrohet në një precedent referimi për demokracitë e tjera në tranzicion, thotë Márta Pardavi, bashkëkryetare e Komitetit të Helsinkit për Hungarinë, një nga organizatat më të zëshme në mbrojtje të të drejtave civile.
“Hungaria duhet ta bëjë këtë proces në një mënyrë të ligjshme”, thotë Pardavi.
Ajo beson se rrethanat e jashtëzakonshme, ku synohet forcimi i demokracisë, dhe dështimi i dukshëm i Sulyokut për të përmbushur detyrimet e tij kushtetuese e justifikojnë këtë masë drastike.
Megjithatë, organizata e saj po i kërkon qeverisë që mekanizmat e shkarkimit të argumentohen me më shumë qartësi në tekstin ligjor. Edhe Amnesty International ndan të njëjtin qëndrim sa i përket nevojës për largimin e Sulyokut.
Por Áron Demeter, drejtori i fushatave të kësaj organizate, e kundërshton idenë që kjo të bëhet “thjesht duke shtuar një fjali kalimtare në një amendament kushtetues”. “Kushtetuta aktuale tashmë e parashikon një procedurë shkarkimi (impeachment) që mund të aktivizohej”, argumenton Demeter.
Sipas tij, qeveria e Magyarit “ka përgjegjësinë që jo vetëm të jetë efektive në spastrimin e këtyre figurave, por ta bëjë këtë duke garantuar të drejtat maksimale procedurale dhe një proces objektiv e të drejtë”.
Ky qëndrim rigoroz i ka kushtuar organizatës një lumë kritikash dhe sulmesh në rrjetet sociale nga radhët e militantëve. “Qëndrimi mbizotërues mes mbështetësve të Tisza-s është: ‘Nuk na intereson metoda, mjafton t’i hiqni qafe.’ Atyre mund të mos u interesojë forma, por neve po”, thekson Demeter.
Përtej institucionit të presidentit, reforma e propozuar prek edhe zyrtarë të tjerë të niveleve të larta, përfshirë trupën gjyqësore, një tjetër fushë ku po lëvizet në tehun e thikës.
Amendamenti i ri rikthen moshën e pensionit në 70 vjeç për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjë që automatikisht do të krijojë disa vakanca kyçe, ndërsa zgjeron paralelisht kompetencat e kësaj gjykate.
Po ashtu, për të rritur pavarësinë e sistemit, parashikohet që vetë gjyqtarët të kenë të drejtën të zgjedhin kryetarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Këshillit Gjyqësor.
Përmes një letre të hapur, rreth 280 ekspertë të së drejtës, akademikë, gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, argumentojnë se këta zyrtarë “luajtën një rol kyç në konsolidimin e regjimit autokratik” dhe, përmes vendimeve të tyre, “e kanë humbur përfundimisht besueshmërinë”.
Mbajtja e tyre në detyrë do të sabotonte çdo përpjekje për të rikthyer shtetin e së drejtës, pretendojnë ekspertët, por edhe ata bëjnë thirrje për kujdes, duke kërkuar të shmangen zgjidhjet “manipuluese” në favor të proceseve transparente.
Në kuadër të parandalimit të autokracisë, pasi kufizoi mandatin e kryeministrit në vetëm dy legjislatura për të bllokuar një rikthim të mundshëm të Orbánit, Tisza propozon që edhe deputetët e Parlamentit të mos shërbejnë më shumë se tre mandate.
“Kjo nuk ishte as një masë urgjente dhe as pjesë e premtimeve elektorale. Nisma të tilla kërkojnë një debat shumë më të gjerë”, thotë Pardavi. Ekspertja shpreh shqetësim edhe për faktin se amendamenti qëndroi në konsultim publik për vetëm pesë ditë, ndërsa një paketë masive antikorrupsion, e paraqitur dy javë më parë në Parlament, nuk kaloi fare nëpër këtë filtër demokratik.
“Janë 110 faqe legjislacion të paraqitura nga një deputet i vetëm dhe të trajtuara me nxitim të jashtëzakonshëm. Kjo formë të kujton shumë metodat e vjetra të Fidesz, partisë së Orbánit”, deklaron bashkëkryetarja e Komitetit të Helsinkit.
Sidoqoftë, presioni financiar mbetet i lartë. Për të zhbllokuar 16.4 miliardë euro nga fondet e ngrira të BE-së, Parlamenti miratoi të martën masa të rrepta transparence.
Ndër të tjera, janë ashpërsuar kriteret për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve dhe familjarëve të tyre, ndërsa deklarimet e rreme do të ndëshkohen me dënime me burg.
Legjislacioni i ri gjithashtu shkrin fondacionet private që Orbán krijoi për të kontrolluar universitetet, duke ia kthyer asetet shtetit, shkarkon krerët e mediave publike dhe krijon një organ të pavarur të mbikëqyrjes financiare.
Lufta kundër korrupsionit galopant është “kali i betejës” i Magyar-it. Sipas llogaritjeve të kryeministrit, sistemi korruptiv i elitës së vjetër i ka kushtuar vendit midis 8 dhe 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ose 20-25 miliardë euro.
Për këtë arsye, reforma kushtetuese parashikon ngritjen e Zyrës Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive Shtetërore. Ky institucion do të jetë plotësisht i pavarur nga qeveria dhe do t’i raportojë drejtpërdrejt Parlamentit, një lëvizje që, sipas mediave hungareze, do të kërkojë ndryshimin e menjëhershëm të 47 ligjeve ekzistuese. Gjithsesi, këto masa radikale për ndryshimin e regjimit gëzojnë një mbështetje masive në opinionin publik hungarez./Pamfleti nga “El País

