Gjatë protestës të së shtunës, disa protestues të maskuar hoqën flamurin e vendosur në ambientet e Ambasadës së Izraelit në Tiranë. Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon një vajzë, e cila heq flamurin izraelit. Institucionet shtetërore, politikanët vendas si dhe Ambasada Izraelite kanë dënuar heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Izraelit. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar dhe vendosur para përgjegjësisë penale vajzën që hoqi flamurin e Izraelit, por ende nuk ka rënë në gjurmët e saj, ndonëse vajza duhet të ketë lënë gjurmë gishtash.
Ndërkaq, ish-banorja e “Big Brother” Gerta Shino, mbështetëse e protestës, ka akuzuar Eva Pangon si autoren e heqjes së flamurit të Izraelit. Sipas saj, Eva Pango është futur nga Edi Rama dhe qeveria e Izraelit duke inskenuar heqjen e flamurit, me qëllim për t’u paraqitur si viktimë dhe dëmtuar protestën. Nga ana tjetër, znj. Eva Pango ka hedhur poshtë akuzat, duke pohuar se as nuk i ka vajtur në mendje një akt i tillë.
Studiuesja e Shkencave Politike, Eva Pango, është angazhuar në mbështetje të protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike. Pango menaxhon faqen Trakt.al në rrjetin social Tik-Tok, përmes të cilës komenton mbi çështje të mjedisit dhe politikës.

