Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë thirrur në SPAK më 12 nëntor, në orën 10:00, në cilësinë e kallëzuesve për çështjen ndaj gjyqtares së posaçme Irena Gjoka.
SPAK ka thirrur për të dëshmuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, ku do të pyeten në cilësinë e kallëzuesve lidhur me kallëzimin e depozituar ndaj gjyqtares për dyshimet mbi falsifikimin e formularit të vetëdeklarimit, sa i përket një dënimi të mëparshëm në Greqi.
Thirrja e tyre vjen pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila nuk pranoi kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve dhe urdhëroi kthimin e dosjes për plotësimin e hetimeve.
Në vijim të këtij vendimi, prokuroria ka rifilluar veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e kallëzimit dhe pretendimet ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Kjo e fundit është gjyqtarja që ka firmosur kërkesat e SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.
