Nga Mero Baze
Progresraporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë është një nga dokumentet më realiste për gjendjen e vendit, si për arritjet, ashtu edhe për kritikat që përfshin lidhur me problemet reale që ka Shqipëria.
Nuk e di pse opozita jonë po i bën qeverisë një shërbim edhe më të madh se vetë raporti, duke e paraqitur atë si një aktakuzë politike që paralajmëron fundin e qeverisë. Në vend që ta përdorë për t’i kërkuar llogari qeverisë, per kritikat e raportit, përpiqet ta shesë raportin si një vendim të Brukselit kundër Edi Ramës, duke i bërë këtij të fundit një nder të tepruar dhe të pakërkuar.
Kjo është ndoshta ndihma më e madhe që opozita mund t’i japë qeverisë.
Raporti është i qartë për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. Vendi ka avancuar në negociata, ka hapur grupkapitullin e fundit dhe ka bërë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve për anëtarësim. Objektivi për mbylljen e negociatave në vitin 2027 konsiderohet ambicioz, por i mundshëm.
Këto janë vlerësime të Komisionit Evropian. Po ashtu, raporti përshkruan probleme serioze me korrupsionin, funksionimin e Parlamentit, administratën publike, lirinë e medias, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe dobësitë e shtetit ligjor.
Dhe këto janë çështjet për të cilat qeveria duhet të japë përgjigje.
Nëse është vërtet siç thotë Gazment Bardhi apo vetë PD-ja zyrtarisht, se ky raport është fundi i Edi Ramës, atëherë nuk duhet të debatojmë më për kritikat e raportit, por për efektin që ai ka në rrëzimin e Edi Ramës. Kështu, debati real që duhet të bëhet rreth raportit zëvendësohet me një gënjeshtër që përsëritet sa herë publikohet një raport.
Edi Rama fiton kështu një debat që nuk duhej të ishte fare debat, por që, nuk e di pse, opozita e shpik për t’i bërë nder. Pra, opozita ia zëvendëson qeverisë debatin e vështirë rreth korrupsionit apo barazisë përpara ligjit me një debat të lehtë, ku vë bast se raporti do ta rrëzojë Edi Ramën nga pushteti.
Duke u përpjekur t’u shesin mbështetësve të tyre iluzionin e vjetër se Bashkimi Evropian është një aleat politik që do ta ndihmojë opozitën të vijë në pushtet, drejtuesit e saj justifikojnë paaftësinë për të krijuar një shumicë politike në Shqipëri.
Bashkimi Evropian vlerëson standardet e anëtarësimit dhe kërkon reforma nga institucionet shqiptare.
Qeveritë i zgjedhin shqiptarët. Nëse opozita kërkon të vijë në pushtet, duhet t’i bindë shqiptarët se është alternativë më e mirë, jo t’u premtojë se një ditë Brukseli do t’ua heqë qafe Ramën.
Në këtë mënyrë, ajo e mban elektoratin e saj peng të një pritjeje të pafundme, duke i premtuar një fitore që vjen nga një ndërhyrje imagjinare ndërkombëtare.
Ka 13 vjet që e mban me shpresa elektoratin e vet sa herë ndryshon pushteti diku në botë. Gëzohen kur bie Gjukanoviçi, gëzohen kur bie Orbani, gëzohen kur bie Vuçiçi, gëzohen kur fiton Trumpi dhe tani gëzohen përsëri, edhe pse humbën thellë, pasi ai nuk ia hoqi Berishës shpalljen “non grata”, nuk e solli në pushtet, por solli Kushnerin në Sazan, e kështu me radhë.
Sot, po ashtu, gëzohen që ka kritika në raportin e BE-së dhe ua servirin demokratëve të gjitha këto si arritje të tyre. Nuk kanë lënë gjë pa provuar për të krijuar iluzionin se po vijnë në pushtet falë të tjerëve, madje duke u shpallur herë pas here edhe sovranistë, kundër SHBA-së dhe BE-së. Por kurrë nuk kanë provuar të ndryshojnë veten për t’u bërë të pranueshëm nga shqiptarët.
Raporti i Bashkimit Evropian nuk është shkruar as për ta shpëtuar Edi Ramën që të mos humbasë fuqinë e pushtetit dhe as për ta shpëtuar Sali Berishën nga pafuqia për ta fituar atë. Ai është një raport që tregon se ku ndodhet Shqipëria në rrugën e anëtarësimit dhe çfarë duhet të ndryshojë.
Duke u përpjekur t’ua shesë raportin mbështetësve të saj si një dokument për rrëzimin e qeverisë nga Brukseli, opozita po e çliron Edi Ramën nga detyrimi për t’u përballur me përmbajtjen e tij, por te përballet me gënjeshtrat e opozitës, të cilat ia bëjnë më të lehtë punën. Si gjithmonë.
