Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, nëpërmjet një deklarate zyrtare të nënshkruar nga Kryetari i saj, Nikolin Jaka, dhe shoqatat e biznesit, ka shprehur shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet, duke përfshirë sulmet ndaj institucioneve, bankave, qendrave tregtare dhe objekteve të sipërmarrjes.
Në reagimin e saj, Dhoma e Tregtisë rithekson mbështetjen për të drejtat demokratike, duke vënë nënvizuar se “e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një vlerë e patjetërsueshme e shoqërisë demokratike”.
Megjithatë, Dhoma qartëson kufirin ligjor dhe etik të këtij ushtrimi, duke deklaruar se “asnjë kauzë, pakënaqësi apo përplasje politike nuk justifikon dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve”.
Përfaqësuesit e biznesit tërheqin vëmendjen mbi impaktin e drejtpërdrejtë që trazihet lënë mbi ekonominë dhe familjet, duke theksuar se “pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj”, ndërsa “dëmtimi i një banke, dyqani, qendre tregtare apo godine biznesi prek punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit”.
Në këtë kuadër, Dhoma e Tregtisë i bën thirrje Policisë së Shtetit për ndërhyrje profesionale e proporcionale, duke kërkuar që “autorët e dhunës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit, pa ia ngarkuar fajin kolektivisht çdo qytetari që ushtron paqësisht të drejtën e protestës”.
Po ashtu, i kërkohet organizatorëve dhe forcave politike të përdorin gjuhë që ul tensionet dhe të distancohen nga përshkallëzimi.
Duke kërkuar dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet për procedurat e denoncimit, Nikolin Jaka e përmbylli qëndrimin duke theksuar pavarësinë e kërkesave të sipërmarrjes: “Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pavarur nga çdo përkatësi politike: mbështesim lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit. Kundërshtojmë pa asnjë rezervë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen”.
Burimi: Kronikë
