AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Berisha nuk mundet duke u bërë disa “Berishë” bashkë

by Alb Times
06/11/2026
in Opinion
6
0
Në kërkim të negociatorit të paqes

Foto: Opinion

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Mero Baze

Debati mbi bashkimin e opozitës së re me Berishën dhe, akoma më shumë, thirrjet për ta dëbuar atë nga protesta apo opozita e zvogëlojnë opozitën e re. Përpjekjet për ta dëbuar Sali Berishën nga PD-ja janë 36-vjeçare, por kanë dështuar. Nuk kanë dështuar se kanë qenë të gabuara, por se kanë qenë të pamundura.

Partia Demokratike, vit pas viti, ka marrë formën e tij dhe është bërë kështjella e tij, kështu që nuk ka as kuptim t’ia marrësh, as ta dëbosh. E vetmja gjë që ka kuptim është ta mundësh.

Dhe këtu, në betejën e opozitës së re dhe opozitarëve të rinj me Berishën, ka disa rregulla që nuk kanë logjikën e shifrave, por logjikën e shpresës.

Opozitarët e rinj mund ta mundin Berishën vetëm duke mos i ngjarë Berishës. Shifrat dhe përqindjet kanë rëndësi vetëm për Berishën. Për opozitën e re, ato mund të ndryshojnë brenda natës, nëse ata i japin një sinjal shoqërisë se nuk i ngjajnë atij.

Për këtë, së pari, ata nuk kanë pse e kthejnë opozitën e re në një front dhune kundër Berishës dhe Partisë Demokratike, pasi ata nuk dëbohen nga shtëpia e tyre me dhunë, por me votë. Nëse opozitarët e rinj ose një lider i përbashkët i tyre shkëlqen dhe frymëzon popullin opozitar, Sali Berisha le t’i mbajë çelësat e SHQUP-it, se shtëpi pensionistësh ka qenë, por nuk i hyn në punë njeriu. Duke u përpjekur ta përdhunojnë Partinë Demokratike, madje dhe ta poshtërojnë, duke e dëbuar nga protesta apo duke i diktuar se kë duhet të kenë në krye, ata vetëm sa armiqësohen me një elektorat masiv opozitar, të cilëve Berisha u ka mbetur në derë dhe nuk e kanë problem të votojnë një opozitë tjetër. Por, nëse i fyen dhe përleshesh me ta, i çimenton edhe më shumë te Berisha.

Së dyti, liderët e rinj opozitarë fatkeqësisht nuk kanë cilësi më të mira se Berisha në të gjitha aspektet, përveç faktit që nuk janë provuar nëse të vrasin apo të vjedhin në pushtet. Por në opozitë po i reflektojnë të gjitha këto.

Fjala vjen, Agron Shehaj është një lider linçues. Gjithë filozofinë e tij politike e mbështet te përndjekja dhe gjuha linçuese ndaj biznesit apo kundërshtarëve të tij. Ky është tipari më popullor i Sali Berishës. Ai nuk ka lënë biznesmen pa i thënë mafioz, politikan pa i thënë kriminel, gazetar pa i thënë mercenar, grua pa i thënë kurvë dhe kundërshtar brenda partisë pa i thënë besëprerë apo karrigethyer. Por e ka mbajtur stekën lart dhe këto ua ka thënë më të mirëve. Ky ua thotë edhe atyre që ka inat, pse kanë makinë më të mirë se Agroni.

Arlind Qorri po ashtu është një politikan që e ka mbështetur filozofinë e tij politike te lëvizja guerile, atentatet ndaj njerëzve, përndjekja ndaj tyre, duke përdorur njerëz të sëmurë mendërisht apo me probleme psikike. Kështu bën dy herë dëm. E para, se të kujton Berishën, dhe e dyta, që na bën heronj njerëz që kanë nevojë për përkujdesje të shëndetit mendor, të cilët nesër mund të na shiten për heronj. Në traditën e së majtës ekstreme shqiptare prej viteve ’20, këta janë quajtur atentatorë dhe mjerisht janë imponuar si vlera të kombit. Në fakt janë plehra ose njerëz në hall që duhen ndihmuar, por jo nderuar.

Për Lapajn s’po them gjë, se ai më ngjan me këta që përdor Shehaj dhe Qorri.

Unë jam gati të pranoj çdo njeri që sfidon Berishën në opozitë, por jo kopjet e këqija të Berishës, se për atë punë kam më mirë origjinalin.

Opozitën e re e ngjall vetëm shpresa dhe serioziteti, dhe jo përndjekja, linçimi dhe agresiviteti. Ato i mbajnë njerëzit larg tyre.

Partia Demokratike në vitin 1991 lindi si shpresë e shqiptarëve, me mitingje që mbushnin sheshet nga jugu në veri të Shqipërisë, por në zgjedhjet e para humbi me dy të tretat, për shkak të agresivitetit, që në fakt, ishte shumë herë më i ulët se sa shihet sot te opozitarët e rinj. Njerëzit ishin të pasigurt se kujt t’ia dorëzonin Shqipërinë.

Një vit më pas, nën këshillat e atyre që e kuptojnë traumën shqiptare nga liderët e dhunshëm, Sali Berisha modifikoi gjuhën. Përmes sloganit “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” u hoqi frikën njerëzve nga ndryshimi dhe mori dy të tretat e votave të shqiptarëve. Sapo e tradhtoi atë premtim, shqiptarët e goditën qysh në korrik të vitit 1992 dhe kurrë nuk doli më parti e parë në Shqipëri deri më sot.

Ndaj debati nëse duhet të bashkohen me Berishën apo ta dëbojnë Berishën është debat pa bukë. Opozita e re nuk ka nevojë as të bashkohet me Berishën, as ta linçojë Berishën, por të ngjallë shpresë në opozitë si një opozitë që nuk i ngjan Berishës. Për ta kuptuar këtë, ktheni kokën pas në qershor të këtij viti, 10 ditët e para të protestës qytetare, kur opozita e Berishës nuk mbështeti protestat për Zvërnecin. Tërheqja e Sali Berishës entuziazmoi mijëra shqiptarë që iu bashkuan protestës në emër të një opozite pa Berishën. Pastaj, sapo filloi kacafytja se e kujt qe opozita, qytetarët u kthyen në shtëpi dhe tani kemi pesë muaj që shikojmë si kacafyten tre-katër gjela pa pupla për t’i hipur njëri-tjetrit në shpinë dhe çdo shqiptari që nuk është dakord me ta. Këta nuk e mundin dot Berishën duke u bërë si nxënës të këqij të tij. Po të jetë për këta, më mirë durojmë një Berishë që po plaket dhe ka një afat skadence se sa disa Berisha të vegjël që mendojnë se ai i vjetri është model suksesi që duhet imituar.

Berisha mundet duke mos qenë si ai, në asgjë. Bashkimi me të i shkrin opozitarët e rinj, ndërsa lufta me të i mban në opozitë si grindavecë dhe linçues të vegjël që mendojnë se kanë të drejtë të shesin linçime opozitarësh. Vetëm një opozitë që nuk i ngjan atij dhe që zhvillohet pavarësisht atij e çon atë në shtëpi. Me votë nga qytetarët, jo nga kryetarët.

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Dy nxënëse tërhiqen nga denoncimi ndaj mësuesit në Selenicë, prindërit: Nuk kemi asnjë problem me të!

06/11/2026

“Sa më të lidhur, aq më të fortë”- Nisma e Evropës Qendrore, Hoxha: Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah!

06/11/2026

Qeveria ndryshon ligjin për Trashëgiminë Kulturore, rregulla të reja për monumentet: Tani më shumë kontroll mbi to!

06/11/2026

Aksidentohet i riu në Vlorë, po lëvizte me monopatinë elektrike, dërgohet i plagosur në spital!

06/11/2026

Reforma e pensioneve gati në 2028/ Ministrja Ibrahimaj: Vitin tjetër dyfishohen bonuset mujore! Po monitorojmë çmimet e ushqimeve, shmangim spekulimet

06/11/2026

FOTO / Spiropali mesazh të koduar: Thanë se puçi dështoi, por unë sapo kam nisur…

06/11/2026

Demokratët përgatiten të frenojnë AI, çfarë pritet të ndryshojë në Kongresin amerikan?

06/11/2026

‘Më bërtiste kot. E dogja dhe ika në punë’ – çfarë tha para Policisë vajza që i vuri flakën babait në Burrel

06/11/2026

Berisha nuk mundet duke u bërë disa “Berishë” bashkë

06/11/2026

Parodia e revolucionit që bëri çorbë fazat

06/11/2026

VIDEO/ Policia qëllon pesë herë 21-vjeçarin, e ngatërruan me të vëllanë që e mbante peng

06/11/2026

Thirrje për dhunë dhe revolucion, Franca angazhon 70 mijë policë për protestën e nesërme

06/11/2026

Revolucioni, Berisha e opozita dështuan, ‘gatuan’ humbjen e 9 majit!

06/11/2026

U arrestua në Greqi për vrasje të dyfishtë, Nikolin Pali rrëfen edhe dy vrasje të tjera në Shqipëri

06/11/2026

Ish-zyrtari i Pentagonit: Përdorimi i forcës nuk është rruga e preferuar e Uashingtonit në konfliktin me Iranin

06/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Dy nxënëse tërhiqen nga denoncimi ndaj mësuesit në Selenicë, prindërit: Nuk kemi asnjë problem me të!
  • “Sa më të lidhur, aq më të fortë”- Nisma e Evropës Qendrore, Hoxha: Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah!

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.