Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulla të reja për strukturat akomoduese dhe projektet turistike, duke përcaktuar kriteret që duhet të përmbushin resortet mikse, ku krahas hoteleve dhe ambienteve turistike parashikohen edhe hapësira banimi.
Sipas vendimit, të paktën 60% e sipërfaqes totale të ndërtimit duhet t’u dedikohet funksioneve turistike, ndërsa pjesa e destinuar për banim nuk mund të kalojë 40%. Ky raport do të llogaritet mbi sipërfaqen e ndërtimit dhe jo mbi sipërfaqen e tokës.
Për të shmangur paqartësitë, zhvilluesit do të duhet të përcaktojnë që në fazën e projektimit se cilat ambiente do të përdoren për qëllime turistike dhe cilat për banim. Në përllogaritje do të përfshihen edhe hapësirat e përbashkëta, në varësi të funksionit që do të kenë.
Një tjetër kusht i vendosur nga qeveria është pajisja me certifikatë paraprake kategorizimi përpara marrjes së lejes së ndërtimit. Dokumenti do të lëshohet nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe do të konfirmojë nëse projekti plotëson kriteret e kategorisë së propozuar. Kjo certifikatë nuk zëvendëson lejen e ndërtimit.
Vendimi parashikon gjithashtu që apartamentet, vilat dhe dhomat e projektuara për akomodim turistik të mos kategorizohen më si struktura të veçanta, por të jenë pjesë e resortit dhe të funksionojnë nën një administrim të përbashkët.
Ndërkohë, apartamentet e ndërtuara për banim nuk mund të përdoren automatikisht për akomodim turistik. Për këtë duhet të plotësohen kërkesat ligjore dhe të miratohet më parë ndryshimi i destinacionit të tyre.
Rregullat e reja nuk cenojnë certifikatat e lëshuara më parë për apartamente, vila, dhoma apo hotele të shpërndara, të cilat mund të vijojnë aktivitetin sipas kategorisë së miratuar. Gjithashtu, projektet që kanë marrë lejen e ndërtimit përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 83/2026 nuk kanë detyrimin për t’u pajisur me certifikatë paraprake kategorizimi.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
