Mbetjet nga përpunimi i ullirit po ndotin mjedisin dhe tokat bujqësore në qarkun e Fierit. Mbi 80 fabrika vaji kanë nisur këtë sezon fushatën e prodhimit, por sipas të dhënave të Agjencisë së Mjedisit, një pjesë e tyre nuk kryejnë procesin e dekantimit të mbetjeve.
Në vend të trajtimit, ato shkarkohen në kanale kulluese, përrenj dhe lumenj, duke përfunduar më pas edhe në tokat bujqësore.
Ndryshe nga perceptimi se bëhet fjalë për mbetje organike dhe të padëmshme, specialistët e bujqësisë ngrenë alarmin për pasojat që ato mund të kenë te toka dhe prodhimi bujqësor.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Mjedisit, mbetjet e përpunimit të ullirit depërtojnë edhe në ujërat nëntokësore, duke kontaminuar mjedisin dhe tokat bujqësore. Ndër vite, dhjetëra subjekte janë penalizuar me gjoba nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, por pavarësisht masave, ndotja vijon. /ABC News/
