Viktor Agolli, ish-shoqëruesi i Fatos Nanos dhe socialist i hershëm, ka shpërthyer në akuza të forta ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e paralajmëruar se nuk mund ta përdorë Partinë Socialiste për betejat e tij personale.
Përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, Agolli i kujton Veliajt se nuk është i burgosur politik, por i paraburgosur që duhet të përballet me akuzat e drejtësisë. Ai e akuzon kryebashkiakun se ka mbushur administratën e Bashkisë së Tiranës me njerëz që nuk kanë lidhje me të majtën, ndërsa thotë se votat e socialistëve nuk janë meritë personale e Veliajt.
Agolli shkon edhe më tej, duke i kujtuar lëvizjen “Nano ik” të vitit 2003 dhe duke e paralajmëruar se nuk mund të marrë drejtimin e PS-së me të njëjtat metoda, pasi, sipas tij, Edi Rama është politikisht shumë më i fuqishëm.
“Mos bëj engjëllin kur vetë je djalli”, shkruan ndër të tjera Agolli, duke theksuar se Veliaj duhet të pastrojë figurën e tij përpara se të pretendojë poste të tjera politike.
Reagimi i plotë i Viktor Agollit:
Luftëtar lind, nuk bëhesh!
Njeri që do atdheun, familjen, miqtë dhe shokët lind, nuk bëhesh rrugës!
Tani, për të gjithë ju miq dhe “armiq”, jam i lumtur që jam ky që jam, njeri i lirë, shumë herë rebel, por kurrë lëpirës.
E kam ndërtuar jetën time dhe të familjes me ndershmëri, pa ia futur kurrë dorën tjetrit në xhep.
Jam dhe do të ngelem gjithë jetën majtist, pa iu prishur kurrë planet “miqve” të mi djathtistë!
Miq, kam postuar para ca ditësh një shkrim për Erion Veliajn.
Tani po e betonizoj. Erion, si unë askush nuk të njeh, më mirë se mua vetëm Rama!
Erion Veliaj, lëri tregimet nga burgu, se ti, zotëri, nuk je i burgosur politik. Ti je i paraburgosur për 13 aktakuza. Po ti pastroje figurën nga hajdutllëku dhe bujrum, hajde, merr PS-në dhe bëhu kryeministër!
Erion, a e di ti se në bashki, ku ti pretendon se fitove mbi 60 mijë vota, janë të tuat? Jo, jo mik, janë votuar socialistët e 1990-s e deri më sot. Prandaj fiton dhe do të fitojë PS, se jemi ne. Se ti në bashki ke vetëm 2% socialistë, e të tjerët janë nga origjina jote, antimajtistë. Mos abuzo me ne që kemi lënë gjak dhe djersë për të majtën!
Erion, një gjë ta them si shqiptar: pastro figurën! Nuk je engjëll. Krejt bashkinë e ke PD dhe krejt në burg. Mos bëj engjëllin kur vetë je djalli.
Erion, ti je G99 dhe MJAFT-i, “Nano ik, Nano ik” 2003, me indiciet e Ramës. Dhe ti nuk e merr dot PS-në me të njëjtën pisllëk, se ustai është Rama.
E para, e dyta, Rama është më i fuqishëm se Nano në 2001, kur Nano e kishte të gjithë kupolën e PS-së kundër, përveç Petro Koçit dhe Arben Malajt, dhe gjithë kryetarët e PS-së në rrethe, dhe prapë fitoi.
E kundërta ndodh tani. Rama e ka gjithë Asamblenë e PS-së me vete.
Çfarë ke bërë, do ta pësosh në kurriz, mik!
Erion, si mik të them, fol sa të duash, mashtro siç e ke zakon, por mos fol në emrin tim dhe mijëra socialistëve të ndershëm që ti dhe udhëheqja e lartë e PS-së mbas 2005-s i shpërdoruat.
Erion mik, mos u kap pas pleshtit kur ty po të digjet jorgani.
Ti dhe Ilir Meta u keni kusur socialistëve dhe aq më keq Fatos Nanos.
Zoti vonon, por nuk harron, Erion. Çfarë ke bërë ti apo dikush tjetër ndaj ne socialistëve të thjeshtë të PS-së, do ta paguani.
Dhe e fundit, për ju administratorë të njësive bashkiake dhe ju drejtorë të bashkisë të çdo niveli: jeni aty nga vota jonë, jo e Veliajt. Pa ne militantët dhe socialistët e thjeshtë, ju do të ishit hiçi.
Shqipëria mbi gjithçka! Hajdutët një ditë do ta paguajnë.
Rroftë Shqipëria!
