Ndërron jetë në Spitalin e Traumës 16-vjeçari, u aksidentua në Lezhë me motor kur po kthehej nga shkolla
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin arsimor në Lezhë, pasi 16-vjeçari Arjon Xhezairi ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra në një aksident rrugor.
Ngjarja tragjike ka ndodhur më datë 26 tetor, rreth orës 14:25, në aksin rrugor dytësor Balldre-Rraboshtë.
Sipas të dhënave paraprake nga strukturat e Policisë Rrugore, i mituri po udhëtonte me një çiklomotor teksa kthehej nga shkolla, kur dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit.
Si pasojë e humbjes së kontrollit, mjeti është rrëzuar, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore drejtuesit të mitur.
Në vendngjarje është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe i mituri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar mjekësor.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe luftës disa-ditore për jetën, 16-vjeçari fatkeqësisht ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit.
Ndërkaq, lajmi për ndarjen nga jeta të të riut ka prekur thellë gjimnazin “Hydajet Lezha”, ku 16-vjeçari kryente studimet. Përmes një deklarate zyrtare ngushëllimi, drejtoria, stafi arsimor dhe nxënësit e shkollës kanë shprehur pikëllimin e tyre për humbjen e nxënësit.
“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, gjimnazi ‘Hydajet Lezha’ shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të Arjonit, vetëm 16 vjeç, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident. Është e vështirë të gjenden fjalët përballë një dhimbjeje kaq të madhe, kur një jetë kaq e re ndërpritet në mënyrë të papritur. Në këto çaste të rënda, jemi pranë familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën Arjonin. Drejtoria, mësuesit dhe nxënësit e gjimnazit ‘Hydajet Lezha’ përcjellin ngushëllimet më të ndjera dhe bashkohen në dhimbjen e kësaj humbjeje të parakohshme. U prehsh në paqe, Arjon! Ngushëllime familjes!”, thuhet në mesazhin e përlotur të shkollës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti fatal.
