Sokol Sadushi i ka dorëzuar ditën e sotme zyrtarisht detyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Ilir Pandës. Ai ishte i vetëm në garë për kreun e Gjykatës së Lartë.
Në fjalën e tij, Sadushi falënderoi ekipin për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, duke kujtuar fillimet me vetëm një gjyqtar e mijëra dosje në pritje. Duke konfirmuar se do të vijojë kontributin e tij pranë këtij institucioni si gjyqtar, ai u shpreh:
“Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi.”
Pas përfundimit të mandatit si kryetar, Sokol Sadushi nuk largohet nga Gjykata e Lartë. Ai do të vijojë të ushtrojë funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deri në vitin 2029. Sadushi është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2020 dhe mandati i anëtarit të kësaj gjykate është nëntë vjet.
Nga ana e tij, Kryetari i ri, Ilir Panda, e cilësoi marrjen e detyrës si një angazhim të lartë ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve, duke vlerësuar punën e bërë për ringritjen e Gjykatës së Lartë. Ai nënvizoi se besimi i publikut ndërtohet përmes standardeve të larta dhe punës së përditshme, duke theksuar:
“Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë e të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale.”
Kush është Ilir Panda?
Panda është pjesë e Gjykatës së Lartë që prej 11 marsit 2020, kur u emërua anëtar i saj me dekret të Presidentit të Republikës.
Kryetari i ri ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai është diplomuar për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1986 dhe më pas ka kryer kualifikime pasuniversitare pranë institucioneve shqiptare, evropiane dhe amerikane.
Gjatë karrierës ka punuar në organet e ndjekjes penale dhe në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe ka ushtruar profesionin e avokatit dhe atë të pedagogut në Shkollën e Magjistraturës dhe institucione të tjera të arsimit të lartë.
Panda ka mbajtur gjithashtu postin e ministrit të Drejtësisë në vitet 1999-2000 dhe atë të zëvendës kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga viti 2003 deri në 2007. Ai ka qenë pjesë e grupeve të punës për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit dhe është autor i artikujve dhe publikimeve në fushën juridike.
Burimi: Kronikë
