Këshilli i Evropës i ka dërguar një mesazh të qartë qeverisë shqiptare për reformën e re territoriale që synohet të zbatohet gjatë vitit 2026.
Në një draft-raport për Shqipërinë, raportuesit Anders Knape dhe Soren Schumacher paralajmërojnë se çdo ndryshim i hartës administrative duhet të mbështetet në një analizë të plotë të reformës së vitit 2015 dhe të shoqërohet me konsultime reale me qytetarët dhe njësitë e qeverisjes vendore.
Raporti ngre shqetësimin se, nëse qeveria synon të respektojë afatet që ka shpallur, ekziston rreziku që konsultimet të mbeten vetëm formale.
“Ekziston rreziku që gjatë përgatitjes së reformës territoriale të planifikuar për vitin 2026 të zhvillohen vetëm konsultime formale dhe jo thelbësore, nëse qeveria synon të respektojë afatin e njoftuar për zbatimin e saj“, thuhet në draft-raport.
Sipas dokumentit, pushteti vendor deri tani ka pasur një rol të kufizuar në diskutimet për reformën. Raportuesit shprehen se, nëse bashkitë përfshihen vetëm në fazën përfundimtare të vendimmarrjes, ato nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zbatimin e ndryshimeve apo për të kontribuar me propozimet e tyre.
Një tjetër kritikë e raportit lidhet me centralizimin e kompetencave. Edhe pse po diskutohet krijimi i bashkive më të mëdha, një pjesë e rëndësishme e shërbimeve publike vazhdon të kontrollohet nga qeveria qendrore.
“Për një sërë funksionesh të detyrueshme, njësitë e qeverisjes vendore nuk zotërojnë kompetenca të plota dhe ekskluzive, por kufizohen në zbatimin mekanik ose në funksione të mirëmbajtjes institucionale. Si rrjedhojë, Shqipëria nuk po përfiton plotësisht nga parimi i subsidiaritetit“, theksohet në dokument.
Për këtë arsye, Këshilli i Evropës kundërshton logjikën që dobësitë e disa bashkive të përdoren si argument për t’u hequr atyre edhe më shumë kompetenca.
“Në përputhje me frymën e Kartës, përgjigjja e duhur ndaj këtyre sfidave nuk është centralizimi, por zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe financiare të njësive përkatëse të qeverisjes vendore“, thuhet në raport.
Dokumenti shkon edhe më tej, duke theksuar se reforma nuk duhet të kufizohet vetëm te bashkimi i bashkive apo ndryshimi i kufijve administrativë. Raportuesit kërkojnë që të rishikohet edhe roli i 12 qarqeve, duke argumentuar se, në formën aktuale, ato nuk përmbushin kriteret për t’u konsideruar njësi të mirëfillta të vetëqeverisjes vendore sipas Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.
Në përfundim, raporti nënvizon se çdo reformë territoriale duhet të ndërtohet mbi vlerësimin e rezultateve të reformës së vitit 2015, respektimin e parimit të subsidiaritetit dhe konsultimin real të komuniteteve që preken nga ndryshimet, duke shmangur vendimmarrjen e përshpejtuar apo formale.

