Për më shumë se një dekadë, shqiptarët kanë pyetur veten përse opozita nuk e rrëzon dot kurrë Edi Ramën. Përgjigjja nuk gjendet në sallën e Kuvendit, as në studio televizive ku politikanët bërtasin përballë njëri-tjetrit. Përgjigjja është ndërtuar me beton dhe hekur në zemër të Tiranës, në kullat që mbajnë të fshehtë një marrëveshje shumë më të vjetër se çdo fushatë elektorale.
Babai i kësaj marrëveshjeje e kuptoi shumë herët se opozitën e ”gjyshit” nuk e blen dot me karrige ministrore apo favore të vogla. Duhej diçka më e madhe. Duheshin leje ndërtimi për ata që kanë mbiemrin e duhur dhe duheshin paratë që vijnë nga betonizimi i Tiranës pa fund e pa pyetur njeri. Monedha e këtij pazari nuk u bënë as votat, as debatet parlamentare. U bënë kullat e Shkëlzen Berishës dhe pallatet e Jamarbër Malltezit. Djali dhe dhëndri i kreut të opozitës u shndërruan në dy anët e një ekuacioni që mban në këmbë të gjithë skemën.
Kështu funksionon marrëveshja e heshtur që e ka mbajtur Sali Berishën në karrigen e opozitarit numër dy, asnjëherë rrezik real për pushtetin. Lejet vijnë njëra pas tjetrës. Kullat ngrihen pa bujë. Opozita mbetet aty ku është, e zënë me beteja që nuk fitohen kurrë, ndërsa familjarët e liderit të saj ndërtojnë perandori betoni në heshtje. Nëse Zeni është kaq trim, përse nuk ulet vetë në karrigen e kryetarit të PD-së që të provojë sa i vlen lëkura, në vend që të bëjë pazare në kurriz të të atit tetëdhjetëvjeçar.
Kulla që bashkon ata që gjoja janë armiq
Projekti për kullën 65-katëshe në Bulevardin e Ri nuk është një leje e zakonshme ndërtimi. Kushdo që njeh Tiranën e di se në atë zonë asgjë nuk miratohet pa pëlqimin direkt të kreut të qeverisë. Mirëpo kjo leje nuk i shkoi një investitori të afërt me pushtetin, sic mund të pritej. I shkoi Shkëlqim Beshirit.
Emri i Beshirit është i lidhur ngushtë me familjen Berisha prej vitesh. Rastet e Ksamilit, Kanalit të Cukës, Orikumit dhe Gjirit të Lalzit flasin për një njeri që është futur në prona dhe leje pikërisht kur Sali Berisha lëvizte administratën sipas interesave të rrethit të tij. Tani i njëjti person merr dritë jeshile nga qeveria e Edi Ramës për një nga projektet më të mëdha në kryeqytet. Kjo nuk ndodh rastësisht dhe as nuk shpjegohet me profesionalizmin e aplikimit.
Edi Rama e kalon lejen pa diskutim. Ministritë nuk ngrenë shqetësime teknike. Bashkia e Tiranës hesht. Kushdo që ka ndjekur proceset e tjera të ndërtimit në Tiranë e di se kjo butësi administrative nuk ekziston për njerëzit e thjeshtë. Ajo ekziston vetëm kur ka një marrëveshje më të madhe se dokumentet zyrtare. Një marrëveshje që i mban të dy palët të qeta. Sepse secila ka arsye të forta për të mos folur.
Kjo kullë nuk është thjesht një investim privat. Ajo është pika e takimit mes dy botëve që publikisht shfaqen si armiqësore, por që në territorin e betonit bashkëpunojnë pa probleme. Paraja lëviz, prona ndryshon duar dhe askush nuk bën pyetje.
Monumenti i një pakti familjar
Historia e kullës 45-katëshe në ish-Bllok e tregon edhe më qartë se si funksionon kjo skemë. Kompania që po e ndërton është e Rreoland Jegenit, dikur pjesëmarrës i zellshëm në takimet e Lulzim Bashës kundër Ramës. Sot Jegeni ka gjetur rrugën drejt KKT-së dhe leja për përbindëshin e betonit ka dalë pa pengesa.
Por kjo nuk është thjesht historia e një ish-opozitari që pa dritën. Jegeni dhe Blendi Gonxhja, njeriu që firmos projektet më të mëdha urbane të Tiranës, janë familjarë. Lidhja mes tyre nuk është profesionale, por personale, shumë më e vjetër se politika. Kjo e shpjegon pse dyert iu hapën pa trokitur.
Tokën ku po ngrihet kulla e kanë vënë Xhabaftët, të cilësuar nga opozita si militante te Gonxhes. Ndarja e roleve është e thjeshtë: Xhabaftët sjellin truallin, Jegeni sjell kompaninë dhe paratë, Gonxhja me Ramën sjellin firmën.
Flamur Noka aktronte me Albert Xhabaftin, dhe i ngrinte zerin si ”kaposh”… nga ana tjetër Zeni ishte në tavë me ta.
Mirëpo një marrëveshje me kaq shumë para dhe në një zonë kaq të ndjeshme nuk mund të funksiononte pa një garanci që opozita të mos bëjë zhurmë. Këtu hyn në lojë Shkëlzen Berisha. I biri i kreut të PD-së është njëkohësisht mik i ngushtë i Gonxhes dhe pjesë e marrëveshjes për kullën. Prania e tij në këtë ekuacion shërben si siguri që Sali Berisha nuk do ta sulmojë kurrë me fakte Blendi Gonxhen dhe se gjithçka do të kalojë në heshtje.
Mjafton të shohësh sjelljen e Berishës ndaj Gonxhes për ta kuptuar. Lideri i opozitës sulmon këdo që lidhet me pushtetin, por Gonxhen e prek vetëm me thumba të lehta, asnjëherë me akuza konkrete që mund të çojnë diku. Arsyeja është e thjeshtë: një goditje e vërtetë ndaj Gonxhes do të nxirrte në dritë mikun e ngushtë të të birit dhe do të zbërthente gjithë pazarin e kullës. Ndaj doktori mjaftohet me ndonjë fjalë në ajër, ndërsa përbindëshi prej betoni ngrihet kat pas kati.
Kulla 45-katëshe në ish-Bllok nuk është një projekt ndërtimi. Ajo është monumenti i një pakti familjar mes pushtetit dhe opozitës, i mbrojtur nga heshtja e atyre që duhet të kishin folur prej kohësh.
Ndërtuesi më i madh anonim i Tiranës
Shkëlzen Berisha nuk është thjesht djali i një politikani të rëndësishëm. Ai është ndërtuesi më i madh anonim i Tiranës. Herë përdor emrin e një oligarku, herë emrin e tjetrit, herë një listë të gjatë njerëzish që i shërbejnë si maska biznesi. Në letër, asgjë nuk është në emrin e tij. Në praktikë, të gjithë e dinë se kush qëndron pas këtyre kullave dhe lejeve.
Problemi me Shkëlzenin nuk është se takohet me Erion Veliajn. Takimet mes njerëzve që bëjnë biznes dhe atyre që japin leje nuk janë krim, sidomos kur bëhet fjalë për ndërtuesin më të madh anonim të kryeqytetit. Madje është mirë që kryetari i Bashkisë ta dijë se kush është ndërtuesi faktik pas kompanive që aplikojnë për leje. Problemi është se Shkëlzeni do gjithçka në të njëjtën kohë: do lejet për kullat, do paratë që vijnë prej tyre dhe do edhe kauzën e opozitës.
Ndërkohë që ‘baloja’ Këlliçi dilte në sheshe për të sfiduar Veliajn në zgjedhje, Shkëlzeni dhe shokët e tij negocionin pikërisht me Veliajn për kullën e radhës. Ndërkohë që militantët e PD-së mblidheshin në protesta kundër regjimit, djali i liderit të tyre gjente gjuhën e përbashkët me të njëjtin regjim për leje ndërtimi.
Detaji që e përmbledh më mirë këtë situatë është vendi ku ka banuar apo banon Shkëlzen Berisha. Ai jeton në shtëpinë e një oligarku, pronar kullash. Trashëgimtari politik i opozitës shqiptare banon nën çatinë e një njeriu që ka ndërtuar perandorinë e tij pikërisht falë marrëdhënieve me pushtetin që kjo opozitë pretendon se e lufton. Nuk është e nevojshme të thuhet më shumë.
Skema është e thjeshtë dhe cinike: paratë bëhen me ata që janë në pushtet, zgjedhjet u lihen militantëve për t’i humbur dhe e vetmja gjë që nuk lejohet është që dikush të flasë hapur për këtë. Kur Ylli Rakipi përmendi se kishte qenë dëshmitar në një takim mes Shkëlzenit dhe Veliajt në një vilë në periferi të Tiranës, presioni për ta tërhequr deklaratën ishte i menjëhershëm dhe brutal.
Dhëndri ”faqezi’ dhe 6 milionë eurot që nuk shpjegohen dot
Nëse krahu i fshehtë i kësaj marrëveshjeje është Shkëlzen Berisha, krahu i hapur është Jamarbër Malltezi. Dhëndri i ish-kryeministrit përfitoi gati 6 milionë euro nga operacioni Partizani, një aferë që nisi disa ditë pasi qeveria e Sali Berishës mori detyrën në shtator 2005.
SPAK ka dokumentuar se Malltezi mori edhe një sipërfaqe shtesë në kullën ARA me vlerë 1.2 milionë euro, që sipas hetimeve nuk i takonte fare. Një kat të tërë që nuk i përkiste, por që përfundoi në xhepin e tij. Fatmir Bektashi, ortaku i tij në këtë sipërmarrje, i ka thënë SPAK-ut se Malltezi nuk investoi asnjëherë para në ndërtimin e kullave. Detyra e tij ishte të bindte pronarët e tjerë të tokave që të hynin në lojë. Të njëjtën gjë bënte edhe kushëriri Xhimi Begeja, me ndryshimin se Begeja përfitoi gati gjysmën e asaj që mori Malltezi.
Kjo mbetet pyetja qendrore: nga dolën këto 6 milionë euro? Argita Berisha ka dhënë versione të ndryshme në intervista të ndryshme. Një vit më parë tha se paratë erdhën nga shitja në gropë e shtëpive ende të pandërtuara. Argita foli për një kredi prej 1.3 milionë eurosh nga kompania Homeplan dhe ca para të tjera, pa specifikuar origjinën e tyre.
Dilema është e tillë: nëse Malltezi pretendon se i kishte paratë për të investuar, atëherë duhet të shpjegojë se nga i mori ato, në një kohë kur vjehrri i tij ishte kryeministër dhe çdo favor i vogël nga shteti mund të shndërrohej në miliona euro. Nëse nuk i kishte paratë, atëherë duhet pranuar se pozicioni i tij në këtë biznes ishte thjesht mbiemri i gruas.
Si pastrohen paratë e dhëndrit “faqezi” – IBA INVEST
Në këtë pikë të historisë shfaqet një personazh që publiku e njeh pak, por që është thelbësor për të kuptuar si funksionon gjithë mekanizmi. Ilir Biba nuk është një emër që del në televizor. Megjithatë roli i tij në këtë skemë është saktësisht ai që mungonte për ta bërë makinerinë të plotë: pastrimi i parave.
Kompania e tij, IBA INVEST, ka si objekt veprimtarie investimin me pjesëmarrje në kuota, marrjen dhe dhënien e huasë dhe investimin në fushën e ndërtimit civil. Në letër duket si çdo kompani tjetër. Adresa e saj e dytë e regjistrimit bie në Kodër Vorë, në zonën kadastrale 2183, numër pasurie 101/58. E njëjta zonë ku janë regjistruar edhe kompani të tjera ndërtimi që kanë lidhje me këtë rrjet.
Përmes IBA INVEST dhe rrjetit Polaris, Ilir Ramazan Biba luan rolin e atij që i merr paratë e dyshimta dhe i kthen në investime në dukje të rregullta. IBA INVEST, po ta kthesh mbrapsht, të nxjerr ABI INVEST. Një lojë fjalësh që të çon te Abi, shkurtimi i emrit të Jamarbër Malltezit, dhëndrit “faqezi” që përfiton prej kësaj skeme. Pa këtë hallkë, gjithë makina do të bllokohej, sepse nuk mjafton të kesh lejen, duhet të kesh edhe një rrugë për t’i futur lekët në ekonomi pa ngritur dyshime.
Grupi Polaris, i kontrolluar nga Ilir Biba përmes IBA INVEST, përbëhet nga disa kompani: Polaris Construction, Polaris Design, Polaris Imp-Ex dhe Polaris Equipment. Të gjitha u themeluan ose u riorganizuan në prill 2022, pra muaj përpara se të miratohej ndryshimi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Vorës në maj 2023. Koha e krijimit të tyre nuk është rastësi.
Një nga këto kompani, Polaris Construction, ka një projekt aktiv në Vorë: një godinë banimi dhe shërbimi me dy kate parkim, dy kate shërbim dhe gjashtë kate banimi. Selia e kompanisë ndodhet në Vorë, në Rrugën Demokracia.
Ilir Biba shfaqet edhe si ortak në Verus Group, bashkë me Abedin Sakulin dhe Ardian Xhakonin.
Funksioni i Ilir Bibës në këtë skemë është i qartë: sipas burimve të Pamfleti; ai është njeriu që transformon paratë e dyshimta në investime në dukje të ligjshme. Nuk mjafton të marrësh lejen e ndërtimit nga pushteti. Duhet edhe dikush që t’i bëjë lekët të duken të pastra, të gatshme për t’u rikthyer në ekonomi pa ngritur dyshime.
Sipas informacioneve që ka siguruar Pamfleti; janë 2 pallate të Ilir Ramazan Biba që identifikohen me Abi Malltezin;
I pari ndodhet mu pas Komisariatit të Vorës. Aty ku dikur kalonte thjesht një rrugë, sot është ngritur një kantier. Kush e ka parë zonën e di që deri para pak kohe askush nuk do të kishte menduar të ndërtonte një pallat shumëkatësh në atë vend.
I dyti po ndërtohet aty ku sapo kalon Burgu 313. Në pamje të parë, ky vend nuk ka asnjë kuptim si investim. Por ata që e njohin mirë zonën e dinë arsyen e vërtetë. Aty kalon një rrugë që të lidh drejtpërdrejt me bulevardin te Treni.
Kjo është pjesa më e ndyrë e kësaj historie. Kur dikush di paraprakisht se një rrugë e re do të hapet dhe do të lidhë një zonë të lënë pas dore me një arterie kryesore të qytetit, ai blen tokën me çmim të ulët, merr lejen për të ndërtuar dhe pret që vlera e pronës të shpërthejë sapo rruga të përfundojë. Ky nuk është investim. Ky është informacion i privilegjuar i kthyer në pasuri.
Pyetja që askush nuk e bën publikisht është: kush e informoi familjen e ish-kryeministrit se një rrugë që nuk figuronte në asnjë plan urbanistik publik do të hapej pikërisht aty?
Le të hedhim një vështrim të ftohtë mbi atë që ka ndodhur. Babloku i dha Zenit lejen për kullën në ish-Bllok, lejen për kullën e Beshirit në Bulevardin e Ri dhe mbulimin e heshtur të të gjitha projekteve të tjera ku Shkëlzen Berisha qëndron si ndërtues anonim. Dhëndrit i dha operacionin Partizani me 6 milionë euro fitim, katin prej 1.2 milionë eurosh që nuk i takonte dhe hapësirën për të ndërtuar dy pallate në Vorë përmes rrjetit të Ilir Bibës, njeriut që merret me pastrimin e parave.
Në këmbim, Gjyshi i PD-së mbajti karrigen e opozitarit numër dy. Nuk u bë kurrë rrezik real. Sulmoi sa për të justifikuar rolin e tij para militantëve, por pa prekur asnjëherë ato që duheshin prekur. Nuk pyeti për Gonxhen. I mbajti të zënë simpatizantët e tij me beteja të humbura që në fund të ditës nuk i shërbenin askujt, përveç atij që e kishte blerë gjithë këtë makineri.
Fjala “blerë” nuk është metaforë këtu. Ndërsa militantët e opozitës dilnin në shi për të protestuar, familjarët e liderit të tyre numëronin fitimet në heshtjen e zyrave me pamje nga kullat që po ndërtonin. Ky është çmimi që Babloku pagoi për të patur një opozitë që nuk e sfidon kurrë me të vërtetë.
Shqiptarët vazhdojnë të pyesin përse vendi nuk ndryshon. Përgjigja qëndron mbi ta, në kullat që shpojnë qiellin e Tiranës. Çdo kat i atyre kullave është një vulë e një marrëveshjeje që zgjati më shumë se çdo qeveri. Një marrëveshje që i ka kushtuar vendit jo vetëm paratë publike, por edhe të drejtën për të patur një opozitë të denjë. (vijon) /Pamfleti

