Në ditët para se presidenti Donald Trump të nënshkruante marrëveshjen paraprake me Iranin, pas një darke në Pallatin e Versajës, vendi ku përfundoi zyrtarisht Lufta e Parë Botërore, ai dhe këshilltarët e tij shpjegonin strategjinë që kishin ndërtuar.
Sipas planit, Ngushtica e Hormuzit do të hapej për lundrimin tregtar, ndërsa Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin Iranit mundësinë të eksportonte miliarda dollarë naftë.
Trump argumentonte se, pas vitesh sanksionesh, ekonomia iraniane do të bëhej shpejt e varur nga të ardhurat e mëdha nga nafta dhe nga qasja në sistemin bankar perëndimor.
“Ishte një marrëveshje shumë e mirë për Iranin”, deklaroi Trump gjatë një bisede telefonike me një gazetare të The New York Times, tre ditë para nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit më 17 qershor.
“Ata janë madje krenarë për këtë marrëveshje. Besoj se ishin lodhur duke u goditur”, tha ai për negociatorët iranianë.
Megjithatë, zhvillimet në terren treguan të kundërtën.
Më pak se një muaj pas marrëveshjes, sulmet ndaj tre anijeve që kalonin në Ngushticën e Hormuzit, në një korridor detar jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Iranit e shtynë Trumpin të anulonte përjashtimin që i lejonte Teheranit të eksportonte naftë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar mbi 170 objektiva ushtarake iraniane gjatë dy netëve të sulmeve.Për momentin nuk është planifikuar asnjë raund negociatash për marrëveshjen shumë më të gjerë dhe afatgjatë, të cilën të dyja palët kishin rënë dakord ta negocionin brenda 60 ditëve.
Nëse administrata Trump ka tashmë një “Plan C”, pas dështimit të bombardimeve dhe marrëveshjes paraprake, ajo nuk e ka bërë publik.
Përkundrazi, gjithçka tregon se Uashingtoni po rikthehet te politika e sanksioneve ndaj naftës iraniane dhe te fushata e bombardimeve, të cilat Trump i cilëson shkatërruese, por që deri tani nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar.
“Formula është shumë e thjeshtë”, deklaroi të mërkurën zëvendëspresidenti JD Vance. “Nëse ata qëllojnë mbi anijet, ne do t’i godasim pa mëshirë.”
Vance kishte kundërshtuar sulmin e parë të 28 shkurtit, por më pas mori detyrën për të mbrojtur publikisht luftën dhe për të negociuar një rrugëdalje diplomatike.
Me fjalë të tjera, stimujt ekonomikë janë lënë mënjanë. Politika është rikthyer te presioni ushtarak dhe ekonomik.
Megjithatë, administrata amerikane ende nuk ka shpjeguar pse beson se kjo strategji do të japë rezultate të ndryshme nga ato të deritanishmet.
“Jemi përballë një ngërçi strategjik”, tha Richard N. Haass, diplomat me përvojë që ka shërbyer në Departamentin amerikan të Shtetit dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë disa administratave, përfshirë presidencën e George W. Bush.
“Sfida është se sa më shumë sulmojmë ne, aq më shumë Irani godet infrastrukturën energjetike dhe naftës në Gjirin Persik. Administrata ende nuk ka gjetur mënyrën për ta mbrojtur atë.”
Sipas Haass, Trump fillimisht besoi se bombardimet do ta rrëzonin regjimin iranian, më pas se do ta detyronin atë të dorëzohej.
“Asnjëra nuk funksionoi.”
As politika për t’i lejuar Iranit të përfitonte nga eksportet e naftës nuk dha rezultat.Kjo përfaqësonte një ndryshim të madh nga mandati i parë presidencial i Trumpit, kur ai mbështetej pothuajse ekskluzivisht te sanksionet.
Ideja e re bazohej në bindjen se edhe një regjim revolucionar do të preferonte një ekonomi moderne dhe funksionale, që gjeneron mirëqenie dhe të ardhura.
Trump përballet gjithashtu me përçarjet e thella politike brenda Iranit.Këto u bënë të dukshme gjatë ceremonive mortore për Ajatollah Ali Khamenein, udhëheqësin suprem iranian, i cili u vra gjatë orëve të para të sulmit amerikano-izraelit ndaj Teheranit.
Njëri prej negociatorëve kryesorë iranianë, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, u godit me gur gjatë ceremonisë dhe u akuzua për pajtim me armikun.
Sulmuesit e fyen dhe kërkuan vdekjen e tij.Edhe presidenti Masoud Pezeshkian u përball me zemërimin e turmës dhe u largua nga truprojat e tij për arsye sigurie.
Megjithatë, në deklaratat publike Trump rrallë përmend këto ndarje të brendshme.
Ai flet për Iranin sikur të ishte një shtet plotësisht i centralizuar, nën drejtimin e Mojtaba Khameneit, djalit të udhëheqësit të vrarë dhe një prej figurave që po shfaqen si pjesë e lidershipit të ri.Vetëm pak javë më parë Trump e kishte cilësuar këtë grup si “më të arsyeshëm” se paraardhësit e tyre.Të mërkurën, gjatë samitit të NATO-s në Ankara, ai përdori një gjuhë krejt tjetër, duke i quajtur “llum”.
Pas kthimit nga samiti, Trump dhe bashkëpunëtorët e tij dhanë pak detaje për hapat e ardhshëm.
Një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti, tha se administrata mbetet e angazhuar për një zgjidhje paqësore dhe pret vazhdimin e të ashtuquajturave “bisedime teknike”.
Megjithatë, edhe ky përkufizim konsiderohet problematik.Mosmarrëveshjet mes Teheranit dhe Uashingtonit nuk janë çështje teknike, por politike, ndaj negociatorët e nivelit të ulët nuk kanë autoritet për të marrë vendime përfundimtare.
Një nga çështjet kryesore mbetet e ardhmja e programit bërthamor iranian.Marrëveshja e armëpushimit e muajit qershor është e paqartë në pikat më të rëndësishme, përfshirë fatin e rezervave të karburantit bërthamor të Iranit.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015, të negociuar nga administrata e Barack Obamës, Irani dorëzoi 97 për qind të rezervave të tij.
Trump është veçanërisht i ndjeshëm ndaj çdo perceptimi se mund të arrijë një marrëveshje më pak të favorshme sesa ajo e Obamës.Një tjetër pikë përplasjeje është kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit.Administrata amerikane po përballet me pasojat e formulimit të paqartë të paragrafit të pestë të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar në Versajë.
“Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, Republika Islamike e Iranit do të marrë masa, duke përdorur përpjekjet e saj më të mira, për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare, pa tarifë për 60 ditë, nga Gjiri Persik drejt Detit të Omanit dhe anasjelltas.”, tha ai.
Administrata Trump e interpretoi këtë si detyrim të Iranit për të garantuar lirinë e lundrimit.
Nga ana tjetër, Teherani e interpretoi si të drejtë për të administruar kalimin e anijeve, duke kërkuar që ato të lundronin në korridorin më pranë brigjeve iraniane.
Më pas Irani sinjalizoi se synonte të vendoste tarifa për kalimin në ngushticë.Kur Marina amerikane nisi të shoqëronte anijet përmes një korridori tjetër pranë Omanit, Irani reagoi duke hapur zjarr ndaj disa prej tyre.
Sipas kompanisë britanike Lloyd’s of London, aktualisht trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është reduktuar ndjeshëm.
Kjo situatë e ka shtyrë Trumpin të deklarojë se marrëveshja “ka marrë fund”.
Bashkëpunëtorët e tij këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë shkelur marrëveshjen, duke argumentuar se memorandumi ishte i kushtëzuar nga përmbushja e detyrimeve nga Irani dhe se Teherani dështoi t’i respektonte ato.
Kjo e rikthen Trumpin në pikën ku ndodhej në muajin prill, kur kuptoi se përdorimi i forcës ushtarake nuk ishte i mjaftueshëm për të zgjidhur krizën dhe se shumë figura politike në Iran e shohin çdo proces diplomatik vetëm si një mënyrë për të fituar kohë deri në një sulm tjetër amerikano-izraelit./ Përshtatur nga The New York Times

