Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza penale ndaj ish-presidentit kubanez Raúl Castro, duke e lidhur atë me rrëzimin e dy avionëve civilë në vitin 1996, incident ku humbën jetën katër persona. Aktakuza u bë publike të mërkurën në Miami, në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Havanës.
Sipas CNN, akuzat ndaj Castros përfshijnë komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë, shkatërrim avioni dhe vrasje. Rasti lidhet me sulmin ndaj dy avionëve të organizatës kubano-amerikane “Vëllezërit për Shpëtimin”, një grup me bazë në Miami që në vitet ’90 kryente fluturime për të ndihmuar kubanezët që përpiqeshin të largoheshin nga ishulli drejt Shteteve të Bashkuara.
Në kohën e ngjarjes, Raúl Castro ishte ministër i Mbrojtjes i Kubës. Prokurorët amerikanë pretendojnë se ai kishte rol në urdhërimin e sulmit. Katër persona u vranë, tre prej tyre shtetas amerikanë dhe një banor i përhershëm i SHBA-së.
Bashkë me Castros, Departamenti i Drejtësisë ka përfshirë në aktakuzë edhe disa shtetas të tjerë kubanë, mes tyre Lorenzo Alberto Perez-Perez, Emilio Jose Palacio Blanco, Jose Fidel Gual Barzaga, Raúl Simanca Cardenas dhe Luis Raul Gonzalez-Pardo Rodriguez. Ata akuzohen për komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë.
Njoftimi u bë në Kullën e Lirisë në Miami, një vend me simbolikë të veçantë për diasporën kubaneze. Për më shumë se një dekadë, kjo ndërtesë ka shërbyer si qendër pritjeje për kubanezët që kërkonin azil në Shtetet e Bashkuara. Data e njoftimit, 20 maji, përkon me Ditën e Pavarësisë së Kubës, e cila shënohet kryesisht nga diaspora kubaneze.
Familjarët e viktimave e pritën aktakuzën me emocione të forta. Sylvia Iriondo, e mbijetuar e incidentit, e quajti këtë një ditë shprese dhe një hap drejt drejtësisë, për të cilën familjet kanë pritur rreth tri dekada. Nelson Morales, vëllai i pilotit Pablo Morales, që humbi jetën në sulm, tha se kjo ishte një ditë e rëndësishme për kubanezët në mërgim që kërkojnë drejtësi.
Incidenti i vitit 1996 mbetet një nga ngjarjet më të rënda në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kubës pas Luftës së Ftohtë. Pas rrëzimit të avionëve, administrata e presidentit Bill Clinton dënoi ashpër veprimin e Havanës dhe nënshkroi Aktin Helms-Burton, i cili forcoi sanksionet ndaj Kubës dhe vendosi kufizime të mëtejshme ekonomike ndaj regjimit kubanez.
Qeveria kubaneze ka mbajtur prej vitesh qëndrimin se avionët e “Vëllezërve për Shpëtimin” kishin shkelur hapësirën ajrore të Kubës dhe ishin përfshirë në veprimtari kundër regjimit. Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë këtë version, duke thënë se avionët civilë nuk përbënin kërcënim.
Padia ndaj Raúl Castros vjen në një periudhë të ndjeshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Administrata Trump ka zgjeruar së fundmi sanksionet ndaj Kubës, duke e cilësuar qeverinë e Havanës si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Paralelisht, ishulli po përballet me krizë të rëndë energjetike, pas ndërprerjes së furnizimeve me naftë dhe pas goditjes amerikane ndaj Venezuelës, aleates kryesore të Kubës në sektorin energjetik.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu drejtua popullit kubanez me një mesazh në spanjisht, ku fajësoi qeverinë kubaneze për krizën ekonomike dhe mungesat e energjisë, karburantit dhe ushqimeve. Ai tha se Uashingtoni po ofron një rrugë të re për marrëdhëniet me një Kubë të ndryshme.
“Arsyeja e vërtetë pse nuk keni energji elektrike, karburant apo ushqim është sepse ata që kontrollojnë vendin tuaj kanë plaçkitur miliarda dollarë, por asgjë nuk është përdorur për të ndihmuar njerëzit. Por Presidenti Trump po ofron një rrugë të re midis SHBA-së dhe një Kube të re, ku ata mund të zotërojnë një biznes dhe të kenë një mundësi reale për të zgjedhur se kush e qeveris vendin e tyre dhe për të votuar për t’i zëvendësuar ata nëse nuk po bëjnë një punë të mirë”, tha Rubio.
Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodríguez, i hodhi poshtë deklaratat e Rubios dhe tha se vështirësitë e ishullit janë pasojë e embargos amerikane dhe presionit ekonomik të Uashingtonit. Sipas tij, SHBA po përpiqet të fajësojë qeverinë kubaneze për dëmin që i shkakton popullit kuban përmes bllokadës.
“Sekretari i Shtetit po përsërit skenarin e tij mashtrues dhe po përpiqet të fajësojë qeverinë e Kubës për dëmin e pamëshirshëm që qeveria amerikane po i shkakton popullit kuban Ai vazhdon të flasë për 100 milionë dollarë ndihmë që Kuba nuk e ka refuzuar, por cinizmi i të cilit është i dukshëm për këdo, duke pasur parasysh efektet shkatërruese të bllokadës ekonomike dhe rrethimit energjitik”, tha ai.
Raúl Castro, 94 vjeç, është një nga figurat e fundit të gjalla të revolucionit kubanez. Ai u bë i njohur në vitin 1959, kur së bashku me vëllain e tij Fidel Castro mori pjesë në përmbysjen e regjimit të Fulgencio Batistës. Për dekada, ai drejtoi forcat e armatosura kubane dhe ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në vend.
Në vitin 2006, pas përkeqësimit të shëndetit të Fidel Castros, Raúl mori përkohësisht drejtimin e shtetit dhe u bë zyrtarisht president në vitin 2008. Gjatë presidencës së tij, Kuba ndërmori disa reforma të kufizuara ekonomike dhe në vitin 2015 rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në nën administratën Obama. Ky proces u ndërpre pas ardhjes së Donald Trump në pushtet në vitin 2017.
Raúl Castro u tërhoq nga presidenca në vitin 2018, duke ia kaluar pushtetin Miguel Díaz-Canelit. Megjithatë, ai mbetet një figurë me peshë historike dhe politike në Kubë.
Aktakuza e re amerikane pritet të thellojë më tej krizën mes Uashingtonit dhe Havanës. Zyrtarë kubanë kanë paralajmëruar se çdo veprim ushtarak amerikan ndaj ishullit do të sillte pasoja të rënda. Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel ka deklaruar se vendi është i përgatitur për çdo skenar dhe ka paralajmëruar se një sulm amerikan do të shkaktonte gjakderdhje.
Çështja ndaj Castros, sipas raportimeve të CNN, është përgatitur për dekada nga prokurorët federalë në Miami. Draftet e para të aktakuzës datojnë që nga vitet ’90, por ajo nuk ishte formalizuar deri tani.
Me publikimin e akuzave, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hapur një kapitull të ri në një dosje që ka rënduar për 30 vjet mbi marrëdhëniet SHBA-Kubë.

