lbasani është një qytet ku kanë operuar disa prej bandave më të fuqishme në vend të cilat kanë prodhuar disa armiqësi dhe intriga të ashpra që kanë sjellë përplasje gjakatare.
Një prej historive më të rënda është ajo mes familjeve Alikaj dhe Mahmuti nga njëra anë, përballë familjeve Çaka dhe Spahiu nga ana tjetër.
Në puntatën e kësaj të mërkure, Inside Story sjell sagën e përplasjeve që nisi nga një pazar i prishur në fushën e trafiqeve në Spanjë thuajse 2 dekada më parë.
Për herë të parë, dëshmi ekskluzive nga familja e vëllezërve të eliminuar Alikaj, si dhe nga familja e Nel Çamit që u shfaros totalisht.
Çfarë thonë të afërmit për sagën e konfliktit dhe cilët janë personat që ata akuzojnë…?
A ka të tjerë pjesëmarrës të akuzuar veç të fortëve që kanë humbur jetën?
Pikëpyetjet që ngrenë familjarët për drejtësinë, dëshmitarët e dyshimtë të ngjarjeve si dhe misteri i zhdukjes së Nel Çamit…
***
Deri atë ditë, Everest Çaka kishte ruajtur një profil të ulët në Elbasan edhe pse në zonë, e njihnin si një prej të fortëve me të shkuar të errët. Një personazh misterioz i dyshuar për vrasje dhe përfshirje në trafik ndërkombëtar droge në Spanjë e më gjerë…
41-vjeçari, u eliminua në një atentat të mirëorganizuar që nisi me inskenimin e një aksidenti. Vetura e tij u përplas nga pas në çastet që tentoi të nisej. Në ato momente, drejt Çakës u lëshua një breshëri plumbash që e lanë të vdekur në vend. Dëshmitare ishte bashkëshortja e tij e cila u plagos me një plumb në krahë.
“Pashë një burrë që u afrua tek xhami i shoferit dhe mbante në duar një armë. Ai qëlloi disa herë në drejtim të Everestit, në qafë dhe në gjoks. Një plumb më goditi në krah”.
5 vite më vonë, ngjarja ka mbetur ende e pazbardhur dhe autorët nuk u zbuluan kurrë.
Viktima, ishte kushëri i Arjan alias Ardit Spahiut, i njohur me nofkën “Arjani i vogël”. Spahiu ishte ekzekutuar në Belgjikë në 27 nëntor të vitit 2020, në lagjen “Molenbek” në Bruksel.
Por, përpos armiqësive të shumta, viktimat Arjan Spahiu dhe kushëriri i tij Everest Çaka prej vitesh kanë qenë të përfshirë në një konflikt për të cilin është folur pak ose aspak.
Një konflikt që në Elbasan, e njihnin mirë hasmërinë e vjetër mes familjeve Alikaj – Mahmuti nga njëra anë, dhe Çaka – Spahiu nga ana tjetër. Kjo ishte arsyeja që pas vrasjes së Everest Çakës, u thirrën në polici të afërm të familjes Alikaj. Ky është Vladimir Merxhani, dhëndër në familjen Alikaj së cilës i janë vrarë të dy djemtë në këtë përplasje. Vladimiri rrëfen për herë të parë historinë e krimeve që kanë mbetur të pazbardhura teksa, përmend edhe emra konkretë që sipas tij mund të shkojnë tek e vërteta e plotë.
Një histori që fut në vorbullën e informacioneve edhe të penduarin e drejtësisë Erjon Alibej, një prej njerëzve më të afërt të kushërinjve të ndjerë Everest Çaka dhe Arjan Spahiu.…
“Unë kam qenë në shtëpi, me 3 çunat e më morën mua me 3 çunat, nuk dija gjë pse po shkoja në polici, llogarite. Me kan mbajtur afro 21 orë në polic, pse të merresh unë për Everest Calën ata e njihnin Ladin dhe Cunat e Ladit, pse dyshonin te unë. Ndaj i kërkoj vetëm një gjë policisë e prokurorisë që vetëm drejtësia të shkojë atje ku duhet dhe Erjon Alibej të dali me ato deklaratat e veta…”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
“Kam përshtypjen që përherë bëhen pyetje të përgjithshme nga prokuroria ca di nga ngjarja apo personi që mos ti japë shkak atij më vonë që të thotë se s”më keni pyetur për këto, këto janë teknika hetim për të ezauruar këtë aspekt procedural”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
“Deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë s’mund të jenë selektive, nëse janë selektive s’ka më marrëveshje, nëse s’ka më marrëveshje ai humbet statusin. Elementi bazë mbi të cilin vendoset marrëdhënie, pra, një person përfiton disa benefite nga marrëdhënia është fakti që duhet jetë i vërtetë dhe jo selektiv”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-Prokuror.
***
Ekskluzive, flasin familjarët: Vrasja në Spanjë e vëllait të Çakës që solli serialin tragjik në Elbasan
Një bisedë në dukje normale mes disa shqiptarëve, u kthye në skenë krimi atë ditë në një pikë karburanti të quajtur “Los Conejos” në zonën e Tarragonës në Barcelonë. Dy automjete, kishin qëndruar pranë njëra – tjetrës. Personat që ndodheshin në këto makina, nisën papritur shkëmbim zjarri…
Në vendngjarje mbeti i vdekur 26-vjeçari nga Elbasani Alfons Çaka i njohur me nofkën “Noçe”. Viktima ishte i vetëm në makinë. Pranë trupit të pajetë të tij u gjet edhe një armë gjysmë-automatike nga e cila ishte hapur zjarr ndaj vrasësve që mundën të largohen të pa lënduar për tu fshehur në zonën e Reus (Rojs) në Tarragona.
Viktima, ishte vëllai i Everest Çakës alias Ibrahim Çaka, i ekzekutuar në vitin 2021 në Elbasan, pas implikimit në disa ngjarje kriminale…
Autoritetet spanjolle e hetuan krimin ndaj Alfonsit në pistën e larjes së hesapeve për shkak të prishjes së pazareve nga trafiku i drogës dhe prostitucionit. Duke rrëmuar në këtë drejtim, hetuesit ranë në gjurmët e autorit të krimit, shtetasit Florenc Alikaj alias Fatmir Alikaj i njohur me nofkën “Lenc kokëmadhi”. Ai ishte njohje e vjetër e viktimës Çaka.
Vladimir Merxhani, kunati i Florenc Alikaj flet për herë të parë për gjenezën e përplasjes që solli mjaft tragjedi më pas…
“Vjen nga një konflikt i hershëm me Noçen, vëllain e Everest Cakës, se i thoshin Noce, kanë qenë të dy e bashkëpunonin, se di, diçka e tillë dhe zihen njëri me tjetrin deri kur u përdorën armët. Lidhjet i dinin ata të dy të ndjerët, në daç Nocja edhe Lenci, se cfarë kishin, punonin me drogë e gjërat e tjera i dinë vetë, por ecim me fjalët e drejtësisë spanjollë që punonin me drogë”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Florenc Alikaj u arrestua në 20 Maj 2008, në zonën e Tarragonës në Spanjë, 3 muaj pas vrasjes së Alfons Çakës. Ai prezantohej në zonë si shtetas bullgar teksa mbante edhe një pasaportë false të këtij shteti.
Në vijim të hetimeve, në skenë doli një tjetër emër i njohur, ai i Zenel Mahmutit nga Elbasani. Ky shtetas i njohur me nofkën Nel Çami, ishte bashkë me Florenc Alikajn në momentin e përplasjes që i mori jetën Alfons Çakës. Madje, ka dyshime se autori i vrasjes mund të jetë pikërisht Mahmuti. Ka të dhëna që sugjerojnë se viktima nisi të qëllojë i pari në drejtim të Florenc Alikajt. Në ato momente, shoku i tij Zenel Mahmuti u kundërpërgjigj duke i shpëtuar jetën Lencit. Kjo mendohet të ketë qenë arsyeja pse Alikaj mbajti vetë krimin mbi supe para gjykatës dhe Neli nuk pati asnjë përgjegjësi penale.
“Unë nuk di gjë që të jetë shpallur në kërkim në Spanjë Neli, megjithatë ai andej ka ndejtur”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.
Kjo është Silvana Omeri Mahmuti, motra e Nel Çamit e cila flet për herë të parë për tragjeditë në familje dhe gjenezën e konfliktit. Ajo, jep disa të dhëna interesante për ngjarjen e Tarragonës të cilat nuk ekzistojnë as në dosjen e autoriteteve spanjolle…
“Sipas fjalëve të vëllait që kam biseduar siç po flasim bashkë se Neli ka qenë në një lokal që po hante bukë, dhe vjen shoku vetë Alikaj, i thotë çohu se do ikim. Ky ishte zënë me Cakën, kishin bërë llafe, duke u ngritur që hypi në makinë, Caka vjen i terrorizon me pistoletë, mbaroi karikatori vuri tjetrin. Dhe Neli me gjithë cunin gjuajnë, se me armë ishin, se kush e vra e kush nuk e vra nuk u morr vesh se Neli se Lenci…”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.
“Lenci, duke u furnizuar me karburant, ka qenë i shoqëruar në karburant dhe ka qenë me Zenel Mahmutin. Dhe u vra Nocja”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Me vrasjen në Barcelonë, lufta sapo ishte hapur mes 3 familjeve në Elbasan. Kundërpërgjigja e parë erdhi në qelitë e burgut ku vuante dënimin Florenc Alikaj…
“U dënua Lenci dhe njëkohësisht kur Lenci dënohet i bëjnë edhe atentat brenda në birucë, i bien me thikë, shtizë, por doli gjallë nga burgu…”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
***
Eliminimi i shoferit, kunati: U vra për hakmarrje, të njëjtët persona erdhën na kërcënuan!
Ajo do të duhej të ishte fundi i një dite të zakonshme pune për Gëzim Alikaj, 52-vjeçarin nga Elbasani që punonte si shofer autobuzi. Pas orëve të gjata të aktivitetit ditor, në mbrëmje ai drejtohet pranë zyrave të një kompanie transporti ku do të merrte një autorizim për udhëtimin e së nesërmes në Kroaci. Sapo parkon veturën, e gjen veten nën sulmin e armës. Një goditje precize me plumb pas koke nga afër, nuk i dha asnjë mundësi shpëtimi. Alikaj humbi jetën në vend. Ai u gjet i pajetë rreth orës 20.30- 21.00, nga personi me të cilin kishin lënë takim. Nuk dihet se sa kohë kishte aty, por dëshmitari konstatoi vdekjen e shoferit dhe njoftoi policinë menjëherë.
“I vëllai Florenc Alikajt, Gëzimi, i ndjeri i dytë do merte autorizm për ekskursion se punonte shofer autobusi e do shkonte në Kroaci, për ti marë një autorizim një presidenti një firme, kur zbret ky, Riza Hasa, president firme, shikon Gëzimin e kishin vrarë brenda në makinë”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Viktima Alikaj, nuk kishte asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme. Ai bënte një jetë normale dhe punonte si shofer për të siguruar jetesën. Familja e lidhe ngjarjen me vrasjen e Alfons Çakës në Barcelonë, ngjarje për të cilën ishte dënuar i vëllai i viktimës. Kjo do të ishte edhe pista kryesore e organeve hetimore…
“Mua nuk më thërriti prokuroria e Elbasanit për këtë vrasjen e Gëzimit, prokuroria mori vetëm të atin e Gëzimit, ai ishte 79-vjec, nga veshët nuk dëgjonte mirë, dhe e mbajtën thuajse 6 orë, e morën në pyetje dhe e nxorën, e cuan në shtëpi. Kjo u bë vetëm për hakmarrje ndaj Florenc Alikës”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj
“Indiciet përbëjnë shkak që të rihapen çështjet, dhe përherë prokuroria duhet shtrijë hetimet për të vërtetën e plotë, pra edhe çështje që konsiderohen të lidhura”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
Sot e kësaj dite, ngjarja ka mbetur pa autor me gjithë informacionet e forta që të afërmit kanë dhënë në Policinë e Elbasanit ndër vite. Madje, familjarët e viktimës flasin për presione të hapura fill pas krimit mafioz ndaj Gëzimit.
“Kanë ardhur edhe para shpisë time, te stacioni trenit, lagja hekurudha, dhe kanë pyetur ku e ka shpinë Ladi Lytit, po tre këta persona dhe një i katërt që nuk njihej, po atë natë që vranë Gëzimin”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Për këto presione, bëjnë përgjegjës të njëjtët njerëz. Madje, Merxhani flet edhe për mesazhe të tërthorta që i kanë shkuar familjes së tij nga persona të njohur me familjen në hasmëri.
“Kam qenë një ditë në Bradashesh, e më tha një miku im, ai ka vdekur sot me mbiemër Skura, Lad tha, -këto kishin lidhje fmailje me Everest Cakën e Arjan Spahiun se janë cuna teze. Lad hapi sytë tha se do të vrasin cunat ty, i thashë s”ka pse se i kam rritur me edukatë..”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj
“Shteti ka detyrimin që kur ka dyshime që mund të jenë ngjarje që mund të çojnë në hakmarrje duhet kontroll territori në pika ku ndodhet konflikt i ndezur. Mospasja e mundësisë së ndërprerjes konfliktit do të thotë që masat e shtetit s’kanë qenë në nivelin e duhur për parandalimin e këtyre ngjarjeve”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
Pas vrasjes së Gëzimit, të afërmit e tjerë thuajse u larguan të gjitha nga Elbasani nga frika e hasmërisë. I vetmi që ka mbetur është dhëndri i familjes Vladimiri i cili prej vitesh vijon përçapjet në dyert e drejtësisë për zbardhjen e ngjarjeve.
“Motrat e tjera ikën direkt, u bë varrimi Gëzimit ikën. Dërgoj vjehrrin, ka qenë sakat, burrë që si ta them kishte respekt lagja për atë, e kam çuar 4 herë, dhe e përcillnin e kur ka ikur ditën e fundit më tha vetëm një llaf Lad ty të kam në vend Gëzimit vetëm duhet të dalin autorët në skenë. I thashë: Hamza, une po vuaj shumë me gocën tënde, ata do dalin në skenë edhe mbaroi ky muhabet, amaneti këtij…”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

