Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në qytetin e Lezhës, ku një automjet në pronësi të një punonjësi policie është hedhur në erë me lëndë plasëse.
Sipas burimeve, një sasi tritoli është vendosur në pjesën e përparme të mjetit që i përkiste efektivit të policisë Gentian Gjeta, agjent në sektorin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Dyshohet se autorët kanë qenë dy persona të maskuar që lëviznin me motor. Ata kanë vendosur lëndën plasëse pranë automjetit dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja në drejtim të paditur.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në automjet, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes në vendin e shpërthimit kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave. Hetuesit po verifikojnë disa pista, ndërsa një nga dyshimet kryesore lidhet me detyrën e efektivit, për shkak të angazhimit të tij në sektorin e krimeve.
Ndërkohë, po kontrollohen kamerat e sigurisë në zonë dhe po mblidhen prova që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.











