Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar në studion e emisionit “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se protesta e ditës së enjte do të jetë paqësore.
Sipas Tabakut, qytetarët duhet të marrin pjesë në protestën para Parlamentit, për vetë interesat e tyre dhe që janë të prekur direkt nga mënyra e qeverisjes së vendit.
“Protesta do të jetë paqësore. Do të jetë protestë e qytetarëve të Tiranës. Ju e keni vënë re që kohët e fundit kanë qenë më të shpeshta, më periodike. Kanë qenë një herë në 10 ditë.
Të enjten është edhe simbolika e Parlamentit dhe të protestosh kur Parlamenti diskuton imunitetin për arsye të një afere korruptive, unë besoj që është gjëja më normale që një opozitë mund të bëjë.
Unë u bëj thirrje qytetarëve që të mos protestojnë për Partinë Demokratike, të protestojnë për interesat e tyre, për xhepat e tyre”, u shpreh Tabaku.
Ajo nënvizoi gjithashtu se protesta e Partisë Demokratike përfaqëson këdo që e refuzon këtë formë qeverisje.
Tabaku shtoi më tej se protesta e 12 marsit ka të bëjë me kërkesat për një ekonomi më të mirë dhe për të sfiduar korrupsionin.
“Për mua lajm është pjesëmarrja, është qëndresa në kohë në kohë dhe në numra. Besoj se kemi mundësi të flasim për këdo në një protestë për të treguar që refuzon këtë formë qeverisje, por edhe këtë sistem.
Balluku është përfaqësia më e mirë e këtij sistemi dhe ardhja për të protestuar ditën kur diskutohet imuniteti i saj nuk është thjesht simbolikë por është edhe për ekonominë, për çmimet dhe për korrupsionin. Duket sikur ka vdekur fryma e protestës dhe e rebelimit, ne duhet ta zgjojmë këtë”, deklaroi më tej Tabaku.











