Tensionet dhe incidentet në sallën e Kuvendit janë bërë të shpeshta në politikën shqiptare, shpesh duke kaluar nga debatet e ashpra në përplasje dhe fyerje mes deputetëve. Në shumë raste, “kurban” i mllefit të demokratëve për kolegët socialistë bëhen efektivët e Gardës së Republikës, të cilët përpiqen që të ruajnë sigurinë dhe jetën e ligjvënësve në atë sallë.
Një moment i tillë është bërë së fundmi publik përmes një fotografie të shpërndarë në rrjetet sociale nga analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla. Foto fikson një çast tensioni brenda ambienteve të Kuvendit, ku në qendër të situatës shfaqet deputeti Flamur Noka, i cili shihet duke u përballur me një efektiv të Gardës.
Sipas Kullës, oficeri i Gardës që shihet në foto është Aurel Kaja, një efektiv me një profil të spikatur si në shërbimin shtetëror ashtu edhe në sport. Ai përshkruhet si një familjar dhe prind i dy fëmijëve, me origjinë nga Malësia, si dhe një ish-kampion kombëtar me ekipin kombëtar të volejbollit.
“O deputet ai oficeri qe i ke drejtuar grushtin eshte Aurel Kaja, djale i 2 prinderve shume te mire, prind i 2 femijeve, kampion kombetar me ekipin kombetar te volejbollit, me origjine malesor me shume se Ty, dhe burre me shume karakter!
Po të jesh aq cub drejtohu me grusht ndaj tjeterkujt te gjate apo te shkurter apo ndaj oligarkeve qe si permedni dot as emrat. Turp-parlament”, shkruan Kulla.











