Mediat raportojnë se një sulm kibernetik ndaj sistemit të IT-së së Kuvendit të Shqipërisë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte, 10 mars.
Siç mësohet, grupi famëkeq i Homeland Justice është rikthyer në Telegram.
“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni. A i keni mbrojtur me të vërtetë ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të bëjmë që ky turp të mbetet me ju përgjithmonë”, paralajmërojnë në rrjetet sociale, teksa kanë publikuar edhe adresa emaili të deputetëve.
Pas këtij sulmi, është mbledhur Komiteti për Sigurinë Kibernetike.
Hera e fundit që u raportua një sulm nga hakerat (me mbështetje nga Irani) ishte në qershor të vitit të shkuar, kohë kur nxorrën jashtë funksionit faqen e Web-it të Bashkisë Tiranë.
Kujtojmë se në vitin 2022, disa grupe të sofistikuara hakerash mbështetur nga shteti i Iranit sulmuan shërbimet online në Shqipëri. Këto u bënë shkak që qeveria shqiptare të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.
Ndërkohë sulmet e “Homeland Justice” kanë vijuar edhe ndaj Kuvendit si dhe disa institucioneve të rëndësishme shtetërore në vitin 2023 dhe ndaj INSTAT në vitin 2024.











