Në seancën e sotme plenare, ku u votuan ndryshimet e fundit në qeveri, tabela e votimit tregoi se Sali Berisha dhe Jozefina Topalli kishin votuar kundër shkarkimit të Elisa Spiropali nga posti i ministres së Jashtme.
Megjithatë, Jozefina Topalli sqaroi se ishte një lapsus. E kontaktuar nga Vizion Plus, deputetja demokrate tha se kishte shtypur butonat për të kërkuar fjalën dhe jo për të votuar, duke sqaruar kështu keqkuptimin që ishte shfaqur në rezultatin e votimit.
“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik. Sqaroj gjithashtu se në atë moment z. Berisha ishte në foltore dhe nuk ka votuar”, sqaroi Topalli për Vizion Plus.











