Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një ftesë personale kryeministrit Edi Rama, që të jetë pjesë e Bordit Ndërkombëtar të Paqes për Gazën, që do të drejtohet nga vetë shefi i Shtepisë së Bardhë, ku do të bëjnë pjesë edhe shumë liderë botërorë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkruan kreu i qeverisë.
Per vete Ramën, kjo ftesë e bën krenar për Shqipërinë, duke e kthyer vendin në një Shqipëri tjetër.
“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald j. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të. Falemenderit zoti President. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, nënvizoi kryeministri.
Bordi i Paqes është organi i ndërkombëtar do të mbikëqyrë Gazën, sipas planit të paqes të hartuar nga vetë presidenti amerikan, që solli fundin e konfliktit 2-vjeçar me Izraelin. Shtëpia e Bardhë shpalli përbërjen e bordit të përkohëshëm që do të mbikqyrë procesin e rindërtimit të Rripit të Gazës të rrënuar.
Në ekipin ekzekutiv bëjnë pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, dhëndri i Trump, Jared Kushner, i dërguari i posaçëm Stiv Uitkof dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair. Ky bord do të ketë fuqi absolute mbi tranzicionin politik të territorit pas luftës. Bordi do të mbikqyrë qeverinë e re të teknokratëve palestinezë, e krijuar për herë të parë pas dekadash. Çdo vendim i tyre do të filtrohet nga Nickolay Mladenov, ish-i dërguari i OKB-së, i cili është emëruar Përfaqësues i Lartë. Ndërkohë, siguria në terren do t’i besohet një Force Ndërkombëtare Stabilizimi, (jasper jeffers) e cila do të udhëhiqet nga gjenerali amerikan Jasper Jeffers.
Në bordin e nivelit të lartë bëjnë pjesë edhe miliarderi Marc Rouan dhe kreu i Bankës Botërore Ajay Banga, por ajo që ka ngritur polemika është mungesa totale e palestinezëve në vendimmarrjen ekzekutive. Kritikët e kanë cilësuar këtë strukturë si “koloniale”, ku fuqitë e huaja dhe biznesmenët vendosin për fatin e një populli, pa përfshirjen e tyre direkt.
Pavarësisht skepticizmit, plani është miratuar formalisht, si nga Izraeli ashtu edhe nga Hamasi.











