Sot në 24 shkurt, është lënë në burg autori i vrasjes në Kavajë, L.D.
Ai dyshohet se vrau një shtetas S.I., ndërsa si arsye dha faktin se viktima i kishte parkuar makinën ngjitur me murin e banesës së tij. Policia në vendin e krimit sekuestroi edhe thikën, me të cilën ishte kryer vrasja.
Aktin makabër e kreu m’u përpara portës së banesës së tij dhe më pas zgjodhi të arratisej. S.I. mori plagë tejet të rënda, duke ndërruar jetë pasi mbërriti në spital.
Njoftimi i gjykatës:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.2. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të shtetasit L.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga neni 76 dhe 279/2 i K. Penal.
3. Caktimin si masë sigurimi ndaj shtetasit L.D atë të “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale.
4. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe Policia Gjyqësore Durrës për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 5 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Durrës, sot më datë 24.02.2026.











