Presidenti Donald Trump në një konferencë për mediat tha se autoritetet e SHBA-ve po përpiqen të identifikojnë personin që “nxori” informacionin se një aviator i dytë kishte mbetur i bllokuar në Iran, pasi i pari ishte shpëtuar.
Ai shprehet se Irani nuk ishte në dijeni të gjendjes së pilotit të dytë përpara këtij raportimi, gjë që e bëri operacionin amerikan të shpëtimit “shumë më të vështirë”.
Trump tha se autoritetet amerikane do t’i kërkojnë kompanisë mediatike që publikoi raportin të tregojë identitetin e personit që nxori informacionin, ose në të kundërt do të përballet me ndjekje penale.
“Po përpiqemi fort ta gjejmë atë person”, tha Trump. “Besojmë se do t’ia dalim ta zbulojmë, sepse do të shkojmë te kompania mediatike që e publikoi dhe do t’u themi: ‘Bëhet fjalë për sigurinë kombëtare – dorëzojeni emrin ose përfundoni në burg’.”
Ai shtoi se avioni amerikan F-15 që u rrëzua javën e kaluar në Iran “ishte avioni i parë me pilot i rrëzuar nga armiku në të gjithë këtë operacion”.
“Gjatë 37 ditëve të fundit, forcat e armatosura të Amerikës kanë kryer më shumë se 10 mijë fluturime luftarake mbi Iranin, diçka e padëgjuar”, thotë presidenti i SHBA-së.
Presidenti amerikan ka pohuar se lufta e SHBA-së kundër Iranit po shkon mirë dhe se forcat amerikane mund ta “shkatërrojnë” të gjithë vendin brenda një nate të vetme.
“I gjithë vendi mund të shkatërrohet brenda një nate”, tha Trump. “Dhe ajo natë mund të jetë nesër në mbrëmje.”












