Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar sërish me një letër GJKKO-së, duke njoftuar se nuk mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore për shkak të përkeqësimit të gjendjes së këmbës. Përmes letrës, ai i kërkon gjykatës të marrë një vendim lidhur me kryerjen e operacionit.
Në seancën e sotme, avokati i tij, Plarent Ndreca, kërkoi që gjykimi të mos vijojë, duke argumentuar se mbrojtja nuk mund të ushtrojë detyrën pa u konsultuar më parë me klientin.
Ndreca deklaroi se kishte tentuar ta takonte Veliajn një ditë më parë, por nuk ishte lejuar nga IEVP Fier. Sipas tij, kërkesat për shpjegime lidhur me këtë pengesë nuk kishin marrë përgjigje.
“Ne nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën, pasi Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Tentova dje ta takoja dhe nuk jam lejuar nga IEVP Fier. Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. Jam i pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet t’i konfirmoj me klientin”, deklaroi avokati.
Ai shtoi se mbrojtja kishte paraqitur më herët të gjithë kronologjinë e problemeve shëndetësore të kryebashkiakut dhe i kërkoi gjykatës të merrte një vendim për situatën që e cilësoi si çnjerëzore.
Gjatë seancës, gjykata kërkoi sqarime për gjendjen fizike të Veliajt dhe nëse ai e kishte të pamundur të lëvizte.
“Është me këmbë të thyer, lëviz me paterica gjithë kohës”, u përgjigj Ndreca.
Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes, duke argumentuar se nuk kishte prova që Veliaj e kishte të pamundur të paraqitej në seancë.
“Prokuroria i ka informacionet e veta për këtë situatë. Duhet të vijojë seanca, nuk provohet që e ka të pamundur të marrë pjesë në seancë gjyqësore”, deklaroi Dado.
Edhe prokurori Altin Dumani u shpreh kundër shtyrjes së mëtejshme të gjykimit. Ai theksoi se në letrën e tij Veliaj nuk e kishte kushtëzuar vijimin e seancës me praninë e tij dhe se mbrojtjes i ishte lënë kohë e mjaftueshme për t’u konsultuar me të.
“Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore”, u shpreh Dumani.
Prokurori solli në vëmendje edhe kohëzgjatjen e procesit, duke theksuar se çështja ishte dërguar për gjykim që në shtator të vitit 2025 dhe se, sipas tij, shtyrjet e deritanishme kishin ardhur për shkaqe të të pandehurve ose të mbrojtjes, jo të SPAK-ut. “Ne jemi këtu që të gjykohet çështja”, përfundoi Dumani.










