Më pak në numër ndoshta nga politizimi, mijëra qytetarë kanë protestuar sërish sot kundër projektit në Zvërnec ku ka vijuar këtë të martë, duke shënuar në këtë mënyrë protestën e tretë radhazi. Me një ndalesë të shkurtër para Ministrisë së Brendshme, turma u ndal më gjatë përballë Kryeministrisë. Parullat kryesore ishin kundër qeverisë, pa kursyer edhe opozitën. Kryefjala e çdo aktivisti që foli ishte largimi i qeverisë, por edhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, që shoqëruan fjalët e tyre.
Nëse Edi Rama u lëkund nga dy protestat e para dhe nisi të përbetohej se nuk na ka tradhtuar, protesta e tretë, edhe pse më e pakët në numër, e ka tronditur kryeministrin, madje ka nisur t’i merret fryma dhe të mendojë seriozisht dorëheqjen për t’u zhvendosur në fshat. Arsye është se në ballë të protestës së sotme ishte gazetarja Ola Xama, e cila me fjalimin e saj frymëzoi dhe elektrizoi protestuesit.
Zonja Xama tha se nuk ishte aty vetëm për Zvërnecin, por për të gjithë pronat publike, të cilat po grabiten nga qeveria e Edi Ramës. Kujtojmë se gazetarja Ola Xama allias Basjola Pandeli ka përfituar para publike nga qeveria Rama, ndërsa dyshohet se posedon edhe një vilë në një resort në jug ty vendit, ndërtuar mbi prona, të cilat dyshohet se janë grabitur.
Ditën e djeshme, në protestë u shfaq edhe deputeti i opozitës, Arjan Ndoja, i cili ka regjistruar në emrin e bashkëshortes së tij dhjetëra hektarë prona në Gjirin e Lalzit. Me përjashtim të Arlind Qorit, për të cilin nuk ka asnjë evidencë kompromentuese, protagonistët e tjerë të protestave për Zvërnecin, kush më pak e kush më shumë, rezultojnë zhvatës të parave dhe pasurive publike.

