Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët e institucioneve dhe partive politike zhvilluan homazhe në Prekaz, në Ditën e Flamurit dhe në nderim të Adem Jasharit, familjes së tij dhe dëshmorëve të rënë për liri. Kreu i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se festat kombëtare nuk po shënohen siç duhet, pasi ish-krerët e UÇK-së janë në Hagë.
“Edhe sot, këto festa nuk shënohen për ne si duhet, për arsye se krerët e ushtrisë shqiptare të Kosovës janë padrejtësisht në Hagë dhe unë dua nga ky vend, do t’ju thoja, përfaqësueseve të institucionit nuk vlen vetëm të vijnë e të bëjnë deklarata në këtë vend të shenjtë, tek varrezat e dëshmorëve, por të veprojnë në detyrat dhe pozicionet që kanë marrë, sepse kanë përgjegjësi morale, njerëzore dhe kombëtare, dhe, edhe sot nga këtu dua t’ju bëj thirrje, deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, që thirrët një seancë sa më shpejt dhe vetëm të votohet dhe të shfuqizohet gjykata speciale.”
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu theksoi rëndësinë e veçantë që kanë Prekazi dhe familja Jashari për lirinë e Kosovës.
“Për lirinë që ne sot e gëzojmë, Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë. Adem Jashari qysh herët e nisi angazhimin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës, as ai as familja Jashari, burra e gra bashkë, nuk u dorëzuan. Ata rezistuan; prandaj edhe ne përjetë i jemi atyre mirënjohës dhe pikërisht rezistenca e tyre bëri që radhët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës të shtohen”
Kryetarja në detyrë e PDK-së Vlora Çitaku pas hmazheve në Prekaz tha se ai vend, Adem Jashari dhe UÇK-ja janë në themelet e lirisë sonë së Kosovës.
“Sa herë që kemi nevojë për energji, për frymëzim, rrugët na sjellin në Prekaz. Prekazi, Adem Jashari dhe UÇK-ja janë në themelet e lirisë sonë. Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është kryevepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”
“28 Nëntori është ditë e kujtesës, e krenarisë dhe e nderimit për ata që i dolën zot lirisë së Kosovës. Adem Jashari dhe të gjithë ata që u flijuan për Kosovën mbeten pjesë e përhershme e lavdisë dhe e kujtesës sonë kombëtare.”- thuhet në mesazhin e presidentes Justina Shiroka Pula.
“Sot, kur krerët e UÇK-së po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, është e rëndësishme të mos harrohet thelbi i historisë sonë: UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës. Përpjekja e një populli për të jetuar i lirë nuk mund të trajtohet si krim. Historia e një populli nuk mund të shkëputet nga e drejta e tij për liri.” – nënvizon ajo.
Në Prishtinë, monumenti simbolik “NEWBORN” mori pamje të re këtë 28 Nëntor. Fjala “NEW” u ngjyros me të kuqe, ndërsa “BORN” me të zezë, ndërsa iu shtua edhe logoja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.










