Shërbimet italiane të inteligjencës po hetojnë nëse përplasjet e dhunshme në Milano mund të kenë qenë rezultat i një mobilizimi të koordinuar përmes rrjeteve sociale dhe fletëpalosjeve të krijuara me inteligjencë artificiale.
Në fokus është edhe mundësia që zemërimi i të rinjve të jetë shfrytëzuar për të nxitur pjesëmarrjen dhe për ta orientuar protestën drejt përplasjeve.
Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, drejtori i Agjencisë për Inteligjencën dhe Sigurinë e Brendshme, Bruno Valensise, paraqiti vlerësimin e tij të enjten, më 22 tetor, gjatë një seance mbi tre orë përpara komisionit parlamentar të sigurisë, Copasir.
Një nga pistat që po shqyrtohet është e ashtuquajtura “metoda e Ceutës”, një model mobilizimi që, sipas raportimeve, është përdorur më parë përmes rrjeteve sociale dhe përhapjes së shpejtë të thirrjeve për grumbullime. Hetuesit po analizojnë mënyrën se si u shpërndanë mesazhet dhe materialet grafike, si dhe se kush mund t’i ketë publikuar fillimisht dhe më pas amplifikuar ato në platformat dixhitale.
Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse dikush ka shfrytëzuar algoritmet dhe pakënaqësinë e të rinjve për të përshpejtuar përhapjen e thirrjeve dhe për t’i mobilizuar. Pak ditë më parë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e kishte lidhur situatën në Milano me kontekstin e luftës hibride, ku rrjetet sociale dhe teknologjitë dixhitale mund të përdoren për të ndikuar te publiku dhe për të përshkallëzuar tensionet.
Shqetësimet e autoriteteve janë shtuar përpara protestave të paralajmëruara për të shtunën, më 24 tetor, në Milano dhe qytete të tjera të Italisë. Sipas vlerësimeve të inteligjencës, ekziston rreziku që grupe radikale dhe anarkiste të përpiqen t’u bashkohen tubimeve për të nxitur incidente, veçanërisht përmes përplasjeve me forcat e rendit.
Për këtë arsye, Milano do të jetë nën masa të shtuara sigurie, nga stacioni i trenit deri në qendër të qytetit. Në terren, krahas forcave të policisë, do të angazhohen edhe 500 parashutistë të njësisë ushtarake “Folgore”, të cilët do të kryejnë patrullime, përfshirë patrullime të lëvizshme.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini deklaroi se, në rast nevoje, mund të përdoren edhe automjete të blinduara të tipit “Lince” dhe dronë për të mbështetur operacionet e sigurisë.
Ndërsa hetimet vijojnë, autoritetet italiane po përpiqen të zbardhin se si u organizua mobilizimi dhe nëse pas përhapjes së thirrjeve qëndron një mekanizëm i koordinuar.
