SPAK ka dhënë pretencën për 10 persona të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal, që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
Nga hetimet rezulton se grupi kishte organizuar importimin nga Republika Domenikane të dy ngarkesave, të deklaruara si “lëkurë gjedhësh”, brenda të cilave u sekuestruan rreth 90 kilogramë kokainë. Vlera e drogës në treg përllogaritet në rreth 3.6 milionë euro.
Për të pandehurit, SPAK ka kërkuar dënime të ndryshme, në varësi të rolit dhe përgjegjësisë së secilit në aktivitetin e dyshuar kriminal.
Konkretisht, për Artion Çaushllarin është kërkuar dënimi me 15 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 10 vite.
Për Geis Sejfullain, Ismail Abdurahmanin, Jose Ramon Zakarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Seranon është kërkuar dënimi me nga 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 9 vite e 4 muaj.
Për K. Birce dhe H. L. Narvaez është kërkuar dënimi me nga 13 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 8 vite e 8 muaj, ndërsa për Endi Sejdinin është kërkuar dënimi me 12 vite burg, që reduktohet në 8 vite.
Për Aldi Zonjen është kërkuar dënimi me 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 9 vite e 4 muaj. Ndërsa për Baki Huqin SPAK ka kërkuar 10 vite burg, që pas uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 6 vite e 8 muaj.










