Marrëveshja trepalëshe për bashkëpunim në siguri midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar vitin e kaluar, vazhdon të interpretohet nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç si një zhvillim që përbën shqetësim për sigurinë rajonale. Megjithatë, ekspertët e sigurisë në Serbi vlerësojnë se këto deklarata lidhen më shumë me politikën e brendshme sesa me realitetin e sigurisë.
Marrëveshja është bërë një temë e vazhdueshme e diskursit zyrtar në Serbi, ku autoritetet e paraqesin atë si një rrezik potencial, ndërsa paralelisht janë njoftuar investime të reja në armatime dhe rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pa paraqitur të dhëna konkrete mbi kërcënimet e drejtpërdrejta.
“Situata e sigurisë është më e ndërlikuar për shkak të aktiviteteve të aleancës së Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Ne mund ta ruajmë paqen vetëm nëse jemi të fortë, prandaj do të nënshkruajmë kontrata të rëndësishme armësh”, tha Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Ndërkohë, opozita në Serbi i ka cilësuar këto mesazhe si kontradiktore, duke theksuar se nga njëra anë flitet për kërcënime, ndërsa nga ana tjetër flitet për bashkëpunim me të njëjtët aktorë.
“Në një moment Vuçiç thotë se Shqipëria po planifikon një luftë kundër nesh, dhe më pas së bashku me kryeministrin e saj propozon modele bashkëpunimi me Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, ai flet për anëtarësimin e Serbisë në BE deri në vitin 2035, përmes skenarëve që nënkuptojnë konflikte me vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s. Kjo krijon konfuzion dhe i çorienton qytetarët”, thotë Pavle Grboviç nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se Serbia është e rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndërsa bashkëpunimi midis Zagrebit, Prishtines dhe Tiranes shpesh përdoret si argument për rritjen e kapaciteteve ushtarake, më shumë si një qasje politike sesa si një qasje e bazuar në rreziqe reale.
“Në politikën aktuale të mbrojtjes së Serbisë, ka më shumë elementë të politikës së përditshme sesa nevoja reale të sigurisë. Ky fakt përdoret për të thënë se Serbia po armatoset për këtë arsye, ‘shikoni se si bashkëpunojnë Zagrebi, Prishtina dhe Tirana, ne duhet të mbrohemi’”, tha analisti ushtarak Aleksandar Radiç.
Sipas analistëve, një qasje e tillë e bazuar në narrativa sigurie dhe mesazhe politike kontribuon në rritjen e perceptimit të pasigurisë tek qytetarët, në mungesë të një strategjie të qartë dhe transparente shtetërore./RTK

