Ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka paralajmëruar se Evropa duhet të përgatitet për një realitet të ri të sigurisë, ku mbështetja amerikane nuk mund të konsiderohet më e garantuar.
Sipas tij, vendet evropiane duhet të mësojnë të mbështeten më shumë te kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe të kuptojnë se si të përballojnë kërcënimin rus në afatgjatë.
Në një intervistë për mediat italiane, Kuleba, i cili drejtoi diplomacinë ukrainase nga viti 2020 deri në vitin 2024, vuri në pikëpyetje gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur Evropën në rast të një përshkallëzimi të konfliktit me Rusinë.
“Formalisht, SHBA-të janë ende aleate të Ukrainës dhe Evropës. Por pyetja e vërtetë është nëse ushtarët amerikanë do të vdesin për Evropën. Mendoj se për momentin përgjigjja është jo”, u shpreh Kuleba.
Sipas tij, siguria e NATO-s nuk mbështetet vetëm te Neni 5 i traktatit, i cili parashikon mbrojtjen kolektive, por edhe te bindja se Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë për të mbrojtur aleatët e tyre. Nëse kjo garanci vihet në dyshim, paralajmëron ish-kryediplomati ukrainas, atëherë i gjithë sistemi i sigurisë evropiane rrezikon të dobësohet.
Kuleba theksoi se Evropa ka nisur tashmë të mësojë se si të funksionojë pa mbështetjen e drejtpërdrejtë amerikane, edhe pse shkëputja nga kjo varësi nuk është ende e plotë.
“Evropa duhet të mësojë si të mbijetojë përballë Putinit”
Ish-ministri ukrainas i bëri thirrje Evropës të përcaktojë qartë qëndrimin e saj ndaj Rusisë, duke argumentuar se vendet evropiane duhet ta shohin Moskën jo thjesht si një burim kërcënimesh hibride, por si një kundërshtar strategjik.
“Tre muaj më parë, pyetja ishte se si të ndryshohej strategjia e Putinit. Sot, pyetja është se si t’i mbijetojmë atij”, deklaroi Kuleba, duke nënvizuar se kjo kërkon një qasje të ndryshme dhe planifikim afatgjatë.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nuk ka arsye të besohet se ambiciet e presidentit rus Vladimir Putin do të kufizohen vetëm te Ukraina. Sipas tij, evropianët duhet të nxjerrin mësime nga lufta dhe të kuptojnë se siguria është baza e mirëqenies ekonomike.
“Mirëqenia vjen nga siguria, jo e kundërta. Nëse humbet siguria, hapi tjetër është humbja e mirëqenies”, theksoi ish-kryediplomati.
Ukraina përballet me sfida të reja gjatë dimrit
Duke folur për situatën në front dhe rrezikun e sulmeve ruse gjatë dimrit, Kuleba tha se Ukraina nuk ka një zgjidhje të menjëhershme për të ndalur bombardimet. Sipas tij, sfidat kryesore lidhen me dronët me motor reaktiv dhe raketat balistike.
Përballë dronëve, Kievi po teston sisteme të reja mbrojtjeje dhe synon të rrisë prodhimin gjatë muajve të dimrit, me qëllim shtimin gradual të kapaciteteve të interceptimit.
Ndërsa për raketat balistike, Kuleba e cilësoi sistemin amerikan Patriot si të pazëvendësueshëm, duke paralajmëruar se mungesa e raketave interceptuese do ta bënte shumë më të vështirë mbrojtjen e objektivave dhe të popullsisë civile.
Ai shtoi se heqja e kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore me rreze të gjatë veprimi nuk do të ishte e mjaftueshme për të ndryshuar e vetme rrjedhën e luftës. Sipas tij, nevojitet një kombinim masash, duke përfshirë interceptimin e dronëve, kufizimin e prodhimit rus të armëve dhe goditjen e platformave nga ku lëshohen raketat balistike.
Kuleba: Ushtria ukrainase mund të jetë kyçe për mbrojtjen e Evropës
Ish-ministri argumentoi se Ukraina mund të luajë një rol vendimtar në forcimin e sigurisë evropiane, falë përvojës së fituar në luftë, industrisë së mbrojtjes dhe ekspertizës teknologjike.
“Sipas tij, pa Shtetet e Bashkuara, ushtria ukrainase do të ishte e vetmja në Evropë me përvojë të drejtpërdrejtë luftarake dhe kapacitet për të përmbushur detyra mbrojtëse në këtë shkallë.”
Kuleba theksoi se mbijetesa e Ukrainës varet nga zhvillimi i kapaciteteve të saj të pavarura dhe ruajtja e unitetit me Evropën.
Ai komentoi edhe mundësinë e një marrëveshjeje mes Donald Trump, Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping, e cila mund të ndikojë në të ardhmen e Ukrainës. Sipas tij, shqetësimi nuk duhet të kufizohet vetëm te fakti që Kievi mund të mos jetë i pranishëm në një takim të tillë, por edhe te mundësia që Evropa të përjashtohet nga vendimet që lidhen me sigurinë e saj.
Megjithatë, Kuleba beson se për sa kohë Ukraina dhe Evropa qëndrojnë të bashkuara, do të jetë më e vështirë që marrëveshjet e arritura pa pjesëmarrjen e tyre t’u imponohen në praktikë.
Në fund, ai u shpreh skeptik se zgjedhjet e mesmandatit në SHBA do të sillnin ndryshime të mëdha në politikën e Trumpit, edhe nëse demokratët do të fitonin kontrollin e Kongresit. Sipas tij, vizioni i presidentit amerikan për rendin ndërkombëtar është tashmë i qartë.
