Ushtria amerikane ka kryer sulme të kufizuara ndaj ishullit Qeshm të Iranit, në Ngushticën strategjike të Hormuzit, duke shtuar tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit. Zyrtarë amerikanë deklaruan se operacioni kishte karakter mbrojtës dhe synonte garantimin e sigurisë së forcave amerikane në rajon.
Tre zyrtarë amerikanë konfirmuan për CNN se sulmet erdhën pas të shtënave iraniane kundër një avioni amerikan. Në shënjestër ishin forcat iraniane që përdornin raketa tokë-ajër kundër mjeteve amerikane.
Sipas CNN, operacioni nuk përbën rifillimin e një fushate të gjerë ushtarake. Megjithatë, zhvillimi vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje diplomatike me Teheranin është ende e mundur, por nuk ka përjashtuar goditje të tjera, përfshirë ndaj një objekti të dyshuar bërthamor nëntokësor.
Nga ana tjetër, udhëheqësi suprem iranian, Mojtaba Khamenei, paralajmëroi se një sulm i ri në shkallë të gjerë do të përballej me një përgjigje pa kufizime gjeografike.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se negociatat kanë shënuar përparim, por theksoi se opsionet ushtarake mbeten në tryezë.
Pas raportimeve për sulmet, çmimet e naftës u rritën në tregjet aziatike. Ngushtica e Hormuzit ka rëndësi strategjike për furnizimin global me energji, pasi përmes saj, para luftës, kalonin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë.
The post SHBA godet ishullin Qeshm në Iran, Uashingtoni: Sulmet kishin karakter mbrojtës appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë
