Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor sot më 25 nëntor, që po zhvillohet në Bruksel nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi samitin si një moment tepër të rëndësishëm për Shqipërinë dhe procesin e integrimit europian.
Kreu i qeverisë foli për ecurinë e vendit drejt hapjes së kapitujve të negociatave, duke theksuar se pret miratimin paraprak të Komisionit Europian për detyrat që Shqipëria duhet të përmbushë.
Duke folur për procesin e integrimit, Rama tha se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur për hapjen e kapitujve, por ende pret dritën jeshile nga Komisioni Europian për detyrat që duhet të përmbushë.
“Ne jemi duke ecur në drejtimin e duhur për hapjen e kapitujve. Ende presim dritën e gjelbër nga Komisioni, sepse Komisioni gjithmonë duhet të miratojë paraprakisht detyrat që ne kemi për të përgatitur”, deklaroi kryeministri.
Rama u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit, duke theksuar se Shqipëria ka bërë ndryshime të rëndësishme dhe duhet të vlerësohet si një vend kandidat serioz në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Ajo që Shqipëria po bën është se po lufton korrupsionin në mënyrë agresive dhe ndaj vendi ynë duhet të vlerësohet si vend kandidat shumë serioz. Shqipëria trajtohej si vend ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte vendosur dhe korrupsioni ishte sistem, ndërsa sot Shqipëria është vendi ku sistemi po lufton korrupsionin.
Çdo gjë duhet të ecë në proceset e duhura. Nuk ka më asnjë person mbi ligjin në Shqipëri, prandaj Tirana duhet parë me sy shumë pozitiv”, u shpreh Rama.









