Një grup i vogël protestuesish kanë nisur marshimin nëpër rrugët e Tiranës. Policia i shpërndau me ujë nga bulevardi, ku nuk munguan sulmet me gurë e molotovë.
Më herët, protesta para Ministrisë së Arsimit ishte shoqëruar me tensione mes të rinjve dhe militantëve të Partisë Demokratike. Pas largimit të mbështetësve të PD-së, një grup protestuesish të maskuar nisi sulmet me gurë e molotovë ndaj efektivëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit. Disa molotovë shpërthyen në këmbët e policëve dhe poshtë autobotit të ujit, ndërsa uniformat blu u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Reshjet e shiut dhe ndërhyrja e policisë bënë që një grup protestuesish të pajisur me çadra e mushama të zhvendoseshin drejt Kryeministrisë, ku më pas u shpërndanë pas ndërhyrjes së policisë.
