Partia Demokratike ka dështuar të përfaqësojë opozitën në vend dhe tani po përpiqet të marrë kontrollin e protestës së të rinjve. Kështu e komenton analisti Alban Daci në Report Tv përplasjen mes protestuesve dhe militantëve të PD-së, të cilët u përzunë nga tubimi para Ministrisë së Arsimit.
“Do të analizojmë së pari protagonizmin e Partisë Demokratike, e cila do me çdo kusht që të përvetësojë protestën, me idenë për të mbajtur monopolin e opozitës. Në të gjitha llogaritë tona normale njerëzore, deputetët e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht se cilin subjekt përfaqësojnë, për shkak të privilegjeve, të ardhurave ekonomike dhe imunitetit, bëjnë pjesë te fisnikët.
Nuk e kuptoj se si mund të pranohet ose si mund të ketë kurajë një deputet i Republikës së Shqipërisë, i cili ka mesatarisht 3500 euro të ardhura në muaj, i dalë në lista të mbyllura nga kreu i partisë që e ka propozuar dhe ka garuar në zgjedhje, të jetë i barabartë me një student i cili duhet të paguajë 500 euro ndoshta qira në Tiranë dhe në familje ka vetëm babain ose mamanë që punon dhe me një rrogë 600 euro.
Unë nuk e kuptoj se si duan me çdo kusht të bëhen pjesë, kur ata janë realisht pjesë e privilegjit, e kastës dhe e njerëzve që kanë të gjitha mundësitë për të bërë çfarë të duan”, tha Alban Daci në Report Tv.
Daci ironizon edhe protestën e thirrur si kombëtare nga Sali Berisha.
“Partia Demokratike, duke qenë në një siklet të vazhdueshëm, duke pasur një distancë përfaqësimi dhe lidhjeje me realitetin, shpik tema të cilat nuk ekzistojnë. Tani del Partia Demokratike, bën një protestë të saj dhe e quan kombëtare. Unë vetëm kombëtare nuk shoh asnjë gjë në protestën e tyre.”
Sipas analistit, shqetësimi kryesor i demokratëve është se nuk përfaqësojnë më pakënaqësinë e qytetarëve që kanë dalë në rrugë.
“Partia Demokratike ka shqetësim më të madh faktin që ajo është opozita institucionale e vendit, por nuk është opozita reale e vendit. Tani si mund të jenë në kushte të barabarta dhe mund të përfaqësojnë realitetin e atyre të rinjve që janë aty, të cilët janë në shesh për shkak se Partia Demokratike ka dështuar që të përfaqësojë interesin opozitar?”, vijoi Daci.
Për Dacin, refuzimi i militantëve të PD-së nga të rinjtë është tregues që protestuesit nuk pranojnë që kauza e tyre të përvetësohet nga partitë politike.
