Të ashtuquajturit revolucionarë të “Flamingos” kanë nisur një fushatë në rrjetet sociale, ku përmes posterave me sloganin “Bojkot ekonomik! Bojkotoni korporatat!”, bëhet thirrje për bojkotimin e një sërë biznesesh të mëdha shqiptare.
Në listat e publikuara përfshihen emra të njohur të sipërmarrjes, si Kastrati, BALFIN, grupet Devolli, familja Hoxha dhe kompani të tjera që operojnë në tregti, media, ndërtim, turizëm dhe energji.
Por ajo që ngre pikëpyetje është përzgjedhja selektive e bizneseve, pa paraqitur argumente konkrete se përse këto kompani duhet të bëhen objekt i një bojkoti ekonomik.
Kjo mënyrë e shënjestrimit kolektiv të kujton praktikat e regjimeve fashiste, ku listat e zeza dhe etiketimi i grupeve të caktuara përdoreshin si instrumente presioni. Dhe kjo logjikë e stigmatizimit pa përgjegjësi individuale ngre shqetësime.
Për më tepër, pas këtyre kompanive qëndrojnë mijëra punonjës dhe familje shqiptare, të cilat sigurojnë jetesën përmes aktivitetit të tyre. Nëse ekzistojnë abuzime, monopole apo lidhje të paligjshme mes biznesit dhe politikës, ato duhet të hetohen nga institucionet përkatëse. Por pasuria, suksesi ekonomik apo zotërimi i një kompanie nuk mund të shërbejnë në vetvete si prova fajësie.
Demokracia nuk ndërtohet me lista të zeza dhe me ndarjen e shoqërisë në armiq e miq. Sepse një revolucion që pretendon se lufton për liri, por huazon metoda përjashtimi që të kujtojnë fashizmin, duhet të japë shpjegime për demokracinë që synon të ndërtojë.

