Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar gjobitjen e qytetarëve që marrin pjesë në protesta paqësore si një akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thekson se e drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe nuk mund të cenohet përmes gjobave apo dhunës.
Ai paralajmëron gjithashtu se personat që firmosin akte të tilla mund të mbajnë përgjegjësi penale, ndërsa kërkon që çdo pengim i së drejtës për tubim dhe manifestim të mos mbetet pa përgjegjësi.
“Gjobitja e qytetarëve vetëm dhe vetëm për faktin se ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në një protestë paqësore përbën një akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore.
E drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të cenohet, intimidohet apo shuhet përmes gjobave dhe as përmes dhunës.
Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk mund të përdorë autoritetin shtetëror për të ndëshkuar ushtrimin e një të drejte themelore. Cilido që firmos akte të tilla kryen vepër penale. Pengimi i ushtrimit të së drejtës për tubim dhe manifestim nuk mund të mbetet pa përgjegjësi.”
