Profesori i shquar amerikan dhe autori i librit klasik Just and Unjust Wars (Luftë të drejta dhe të padrejta) në vitin 1977, Michael Walzer, në moshën 91-vjeçare jep një analizë të qartë mbi situatën aktuale politike dhe ushtarake në Iran.
Ai argumenton se ndërhyrja amerikano-izraelite në Iran ka shkaktuar një ngërç serioz, përforcuar nga rritja e çmimeve të energjisë dhe presioni politik i brendshëm në SHBA. Walzer shpjegon se Trump po përpiqet të prezantojë një fitore të rreme dhe po kërkon një “strategji daljeje”, ndërsa aleatët si Izraeli janë të shqetësuar për besueshmërinë e tij.
Intervista e plotë
Pyetje: Prof. Walzer, me ndërhyrjen në Iran, Trump është futur në një ngërç?
Walzer: Po.
Pyetje: Dhe çfarë do të bëjë tani?
Walzer: Ka disa opsione. Por izraelitët janë të terrorizuar se ai mund t’i lërë në baltë para se të përfundojë “punën”.
Pyetje: Në fakt, dje Trump tha se “lufta në Iran është gati duke përfunduar”.
Walzer: E shihni? Po kërkon një “strategji daljeje”, duke deklaruar një fitore të rreme. Trump ka bërë një gabim të madh me këtë luftë të pamundur për t’u vazhduar. Sidomos përballë një krize të madhe energjetike, që do të rrisë çmimet e gazit dhe të benzinës, duke zemëruar zgjedhësit e tij. Baza populiste MAGA po nxehet dhe mund të rebelohet. Administrata e tij është e ndarë; mjafton të shikosh çfarë ka thënë sekretari i Shtetit Rubio: “Izraeli na ka tërhequr në këtë luftë”. Netanyahu po djersitet.
Pyetje: A mendoni se Trump mund ta tradhtojë kaq shumë aleatin e tij të fortë Netanyahun?
Walzer: Trump është një narcisist. Mendon vetëm për veten. Ai gjithmonë do të jetë një aleat i pabesueshëm. Po ashtu edhe për Izraelin, për të cilin kërcënimi nga Irani është ekzistencial. Ashtu siç do të jetë i pabesueshëm për miliona iranianë që shohin tek ai një shpëtimtar nga një regjim i tmerrshëm dhe i dhunshëm. Do të përfundojë si në Venezuelë: largimi i liderit ndoshta ndodh, por në vend nuk ndryshon asgjë. Larg asaj lirie dhe demokracie që premtoi.
Pyetje: Si mund të ketë menduar Trump se Irani është një vend i dobët si Venezuela?
Walzer: Ai u iluzionua thellësisht. Irani është një vend shumë më i fortë, i qëndrueshëm dhe ende nën sundimin e republikës islamike. Duhej ta sulmonte masivisht dhe në shumë fronte për të bërë një revolucion, por dyshoj se do ta bëjë. Madje, nuk di sa është popullsia iraniane e gatshme të jetojë nën bomba vazhdimisht. Prandaj, revoltimet e aktivistëve këto ditë kanë qenë më të kufizuara se më parë.
Pyetje: Dhe lideri i ri është djali i Khamenei…
Walzer: Një tjetër goditje për planet e Trump. Ai nuk priste një zgjedhje të tillë dhe vazhdimësi të regjimit. Madje, një radikalizim më i thellë.
Pyetje: Por nëse Trump ndryshon mendim dhe sulmon Iranin sërish me forcë?
Walzer: Atëherë do duheshin trupa tokësore. Por kurdët nuk duan të përdoren më nga amerikanët pa shpërblim të drejtë. Atëherë Uashingtoni mund të dërgojë trupa speciale, kryesisht për sabotimin e impianteve bërthamore iraniane. Por ky është një rrezik kolosal.
Pyetje: Në këtë skenar, Irani mund të bëhet një tjetër Irak për SHBA-në?
Walzer: Shumë më keq se Iraku.
Pyetje: Pse?
Walzer: Ky është një regjim shumë më ideologjik dhe fanatik se ai i Saddamit. Ata e dinë që mund ta ndalojnë luftën e Trump-it dhe të Izraelit duke shkaktuar një krizë energjetike globale që Perëndimi nuk mund ta lejojë, duke marrë parasysh edhe çfarë po ndodh në Ukrainë. Dhe nëse shpërthen një konflikt civil në Iran, ai do të ishte i pakontrollueshëm për amerikanët.
Pyetje: Por izraelitët dhe Trump thonë se kjo është një luftë e drejtë. Ju që keni teorizuar luftët e drejta, jeni dakord?
Walzer: Absolutisht jo. Nëse bombardimet izraelito-amerikane vitin e kaluar kundër impianteve bërthamore mund të ishin të drejta, duke pasur parasysh kërcënimin ekzistencial ndaj Izraelit, kjo luftë e tanishme nuk është e tillë. Nuk është e drejtë.
Intervistë e dhënë për gazetaren Antonella Guerrera, La Repubblica










