Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje më 15 tetor në zonën e Shkozës, në Tiranë.
I plagosuri D.L 45 vjeç ka marrë një plumb në kofshë dhe është transportuar në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, autori i dyshuar është identifikuar nga policia dhe është shpallur në kërkim, raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi
Plagosi me armë zjarri një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se në Shkozë, në rrugën “Hulo Hajderi”, një shtetas kishte plagosur me armë zjarri shtetasin D. L., rreth 45 vjeç, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit E. Q., rreth 43 vjeç, i cili, pas një konflikti për motive të dobëta, rreth orës 22:00, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin D. L. Ky i fundit ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Vijon puna intensive për kapjen e 43-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Burimi: Kronikë
